
Drejtori i Financave në Telekomin e Kosovës, Feim Kelmendi, një nga zyrtarët më të lartë të kësaj ndërmarrjeje publike dhe i njohur për përkrahjen e tij publike ndaj kryeministrit Albin Kurti, ka sulmuar ashpër gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, duke i quajtur ata “të paaftë”, “të korruptuar” dhe “hajdutë”.
Përmes një postimi në Facebook, Kelmendi ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që ta shpallë të papranueshme kërkesën e Telekomit të Kosovës, në lidhje me kontestin gjyqësor mes Telekomit dhe kompanisë “Devolli”.
“E di që është e rëndë ajo që po e them, ama me bindje të plotë e them që gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese ose janë të paaftë ose janë të korruptuar”, ka shkruar Kelmendi.
Ai ka treguar se Telekomi e kishte dërguar kërkesën në Gjykatën Kushtetuese para një viti, duke pretenduar se vendimet e shkallëve të tjera gjyqësore ishin në kundërshtim me ligjet në fuqi.
Sipas tij, vendimi i publikuar më 2 tetor për ta shpallur kërkesën e Telekomit të papranueshme është “banal” dhe “i pajustifikueshëm”.
“Arsyetimi që paskan dhënë gjykatësit e kësaj gjykate është aq banal sa që nuk ka sesi të shpjegohet ndryshe përveç se: ose janë të paaftë me kuptu thelbin e kërkesës, ose janë të korruptuar, pra janë hajdutë?!”, ka theksuar ai.
“Njerëz të tillë nuk meritojnë me qenë në krye të një institucioni kaq të rëndësishëm siç është Gjykata Kushtetuese, që ka për detyrë të garantojë zbatimin e drejtë të ligjeve nga organet tjera shtetërore. Turp ju qoftë, kriminela!”, ka përfunduar ai.
Megjithatë, Telekomi nuk ka reaguar ndaj performancës së brendshme të zyrtarëve përgjegjës për çështjen, përfshirë Leonora Sylajn, që udhëheq departamentin për çështje ligjore, dhe Durim Ahmetajn, menaxher i Zyrës Ligjore, të cilët, sipas vendimit të Kushtetueses nuk kanë arritur të sigurojnë prova të mjaftueshme për rastin.