153 kandidatë në garë për 21 pozita të reja prokurorësh, mbahet testi me shkrim në Vushtrri - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    153 kandidatë në garë për 21 pozita të reja prokurorësh, mbahet testi me shkrim në Vushtrri

    Insajderi
    05 October 2025 - 17:35
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Njëzetenjë prokurorë të rinj të shtetit do t’i shtohen së shpejti Prokurorive Themelore nëpër Kosovë, ndërsa për këto pozita kanë aplikuar gjithsej 153 kandidatë, të cilët sot iu nënshtruan testit me shkrim në ambientet e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri.

    Sipas njoftimit, mbajtja e testit me shkrim është pjesë e procedurave të rregullta të rekrutimit dhe emërimit të 21 prokurorëve të rinj, si fazë e rëndësishme për përzgjedhjen e kandidatëve më të kualifikuar.

    Në respektim të transparencës, barazisë dhe llogaridhënies, KPK ka bërë të ditur se testi është hartuar dhe zhvilluar në të njëjtën ditë, në prani të vëzhguesve dhe monitoruesve vendorë e ndërkombëtarë, me qëllim të garantimit të integritetit dhe besueshmërisë së procesit të rekrutimit.

    Në këtë testim marrin pjesë 71 gra dhe 82 burra, të cilët garojnë për t’u bërë pjesë e sistemit prokurorial të vendit. Procesi po mbikëqyret nga Ardian Hajdaraj, Kryetar i Komisionit për Rekrutimin e Prokurorëve të Shtetit, i shoqëruar nga anëtarët e tjerë të komisionit, si dhe nga përfaqësues të partnerëve vendorë dhe ndërkombëtarë.

    KPK ka bërë të ditur se fazat e ardhshme të procesit do të përfshijnë intervistimin me gojë, ndërsa publiku do të njoftohet me kohë deri në përmbylljen e plotë të rekrutimit dhe emërimin e kandidatëve të suksesshëm në pozitën e Prokurorit të Shtetit.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark