
Në seancën gjyqësore ndaj Naim Murselit, të dyshuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj, ka dëshmuar edhe Jeton Binaku, pronar i një pompe të benzinës në Rakovinë të Gjakovës.
Ai ka treguar para trupit gjykues për takimet që kishte pasur me të dyshuarin Granit Plava, dhe mënyrën se si një veturë me qira ishte marrë dhe lënë në lokalin e tij.
“Më kujtohet që më kanë marrë në pyetje për rastin e Granitit, se e kam një biznes familjar pompë benzine në Rakovinë të Gjakovës, në të cilin janë gjetur çelësat e veturës e cila ishte marrë me rent a car,” ka thënë Binaku.
Ai ka shpjeguar se Granit Plava kishte ardhur në pompë një ditë më parë dhe i kishte kërkuar ta ndihmonte për të marrë një veturë me qira.
“Graniti u ardh te pompa, se unë i kam do myshetri që kanë rent a car. Një ditë para se me ardh te pompa, Granitin e njoh pasi që i njejti ka ble naftë te na. Më ka pyt a mundesh me thirr atë djalin e rent a car me ma marrë një kerrë me qira. Ia kom marrë atë kerrin me qira, qat dit që e kom marrë unë e ka kthy në ora 15:00 ose 16:00, edhe u shku e ka marrë prap në mbrëmje. Ati djalit ia kom paguar, se ky mi ka lënë paret,” ka deklaruar dëshmitari.
Sipas tij, vetura kishte mbetur për disa ditë në afërsi të pompës.
“Kur jom shku në mëngjes me hap pompën, e kom pa kerrin aty te autolarja, se ngjit janë. A e ka fshi apo e ka la nuk e di, por çelësi ka mbet në pompë. Mandej kerri ka nejt ja dy ditë aty. Ai pronari i rent a car ka kalu anej, i kom thonë me marrë, nuk e ka marrë,” ka shtuar Binaku.
Dëshmitari ka folur edhe për sjelljen e Granitit në ditët para arrestimit.
“Graniti është sjellë mirë me neve kur ka ardh te pompa, pasi që ky ka punu me dru. E kom pa në vullkanizer tonë ditën, para se me arrestu,” ka rrëfyer ai, duke sqaruar se pompa e benzinës dhe vullkanizeri ndodhen shumë afër njëri-tjetrit.
“Pompa e benzit edhe vullkanizeri janë dy metra larg njëri-tjetrit. Unë kom shku te vullkanizeri, ai ka ardh te unë. Nuk ka punu në vullkanizer, por pronari i ka mjell flokët e ky ka nejt aty, se me dru ka punu,” ka përfunduar dëshminë e tij Jeton Binaku.