
Të dielën, u regjistrua një përmirësim afatshkurtër i kushteve të motit, konkretisht në rritjen e temperaturave, edhe pse reshjet e pakta lokale nuk munguan në disa zona.
Gjatë kësaj jave, vendi ynë do të mbetet nën ndikimin e kushteve të paqëndrueshme atmosferike, të paktën deri të mërkurën, si pasojë e qarkullimit të masave ajrore të lagështa.
Në këto kushte, nga dita e sotme (e hënë) e deri të mërkurën, pritet të mbajë mot i vranët dhe kohë pas kohe me reshje lokale shiu.
Nga dita e enjte, masat e ftohta do të zhvendosen drejt juglindjes së kontinentit, duke u lënë vend atyre paksa më të ngrohta. Si rrjedhojë, deri të dielën parashihet mot me diell dhe vranësira, si dhe rritje e temperaturave. Megjithatë, reshje të izoluara dhe të pakta shiu mund të paraqiten në zona të caktuara, veçanërisht të shtunën dhe të dielën.
Era do të fryjë nga veriu dhe herë pas here pritet të jetë mjaft e fuqishme, sidomos në fillim të kësaj jave, me shpejtësi prej 15 deri në 52 km/h.
Temperaturat minimale do të lëvizin prej 5 deri në 9°C, ndërsa ato maksimale prej 8 deri në 20°C. /MeteoKosova/