
Një prej pronave publike më të përfolura në Prizren, ajo përballë Qendrës Sportive “Sezai Surroi”, po kthehet në një hapësirë moderne e funksionale për qytetarët e Bazhdarhanës dhe lagjeve përreth. Projekti i ngritjes së ndërtesës së re të Komunës së Prizrenit përfshin krijimin e hapësirave të gjelbra, sheshe për familjet dhe fëmijët, një auditorium bashkëkohor me 800 ulëse, si dhe 500 vendparkime nëntokësore.
Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, tha se ky projekt do ta transformojë tërësisht këtë pjesë të qytetit, duke e bërë atë një zonë moderne, të hapur dhe të qasshme për të gjithë.
“Kemi marrë një vendim të rëndësishëm për ta kthyer këtë pronë publike në shërbim të qytetarëve. Ndërtesa e re e Komunës do të jetë simbol i një administrate moderne, efikase dhe transparente, por edhe një qendër që do t’i japë hijeshi dhe funksionalitet qendrës urbane të Prizrenit” – tha Totaj.
Ai shtoi se projekti nuk do të kufizohet vetëm në ndërtimin e objektit administrativ, por do të përfshijë edhe hapësira të gjelbra, kënde lojërash, sheshe për ngjarje kulturore dhe argëtim për familjet.
“Qytetarët e Bazhdarhanës dhe lagjeve përreth do të përfitojnë një ambient të gjallë, të bukur dhe të sigurt. Kjo zonë do të kthehet në një pikë të re atraktive për qytetin” – theksoi Kryetari Totaj.
Ky projekt është pjesë e vizionit për Prizrenin modern, funksional dhe të gjelbër, që po merr formë përmes investimeve të mëdha infrastrukturore dhe urbane në çdo pjesë të qytetit.