
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër pas ekzekutimit të gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, Astrit Kalaja, ngjarje që ka tronditur opinionin publik.
Në një postim në Facebook, Berisha shprehu ngushëllimet e tij për familjarët dhe dënoi me forcë aktin kriminal që ndodhi brenda ambienteve të gjykatës.
“Duke i shprehur ngushëllimet më të ndjera familjes, miqve dhe të afërmve të gjyqtarit të ndjerë Kalaja, dënoj me forcën më të madhe aktin e shëmtuar dhe kriminal ndaj gjyqtarit në brendësi të institucionit, dëshmi e kontrollit të rendit nga krimi dhe pasigurisë së madhe që ekziston sot në vend. Kërkoj dënimin më të rreptë ligjor për ekzekutorin dhe porositësit e këtij krimi shumë të rëndë”, ka shkruar Berisha.
Ngjarja ndodhi brenda godinës së Gjykatës së Apelit, ku gjyqtari Astrit Kalaja u vra me armë zjarri.
Sipas raportimeve të A2 CNN, autori i dyshuar është arrestuar dhe është identifikuar si Gjon Shkëmbi.
Përveç gjyqtarit të ndjerë, janë plagosur edhe dy persona të tjerë, babë e birë, të cilët janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin e Traumës.