
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se reperi i njohur Sean “Diddy” Combs i ka kërkuar falje presidenciale. Kjo deklaratë u bë gjatë një konference shtypit në Zyrën Ovale, ndërsa Trump po përgjigjej mbi mundësinë e faljes së Ghislaine Maxwell-it.
“Shumë njerëz më kanë kërkuar falje. Unë e quaj Puff Daddy, ai më ka kërkuar falje”, tha Trump. Ai nuk dha detaje të mëtejshme, por shtoi se nuk ishte i sigurt nëse do të merrte parasysh kërkesën.
Combs-i u dënua javën e kaluar me katër vjet e dy muaj burgim federal për akuza mbi transportim për prostitucion. Gjatë një interviste për Newsmax në gusht, Trump tha: “Ishte në një farë mënyre gjysmë i pafajshëm. Ishim miqësorë. Por kur kandidova për president, ai u tregua shumë armiqësor”.
Kur një gazetar e pyeti nëse kjo do të ndikonte në vendimin për falje, Trump u përgjigj: “Kur dikush është armiqësor, është më e vështirë ta falësh. Por po jem i sinqertë, ka më shumë gjasa të jetë ‘jo’ për Combs-in”
Avokati i Combs, Marc Agnifilo, deklaroi për Variety se nuk kishte dijeni për ndonjë komunikim me administratën Trump. “Nuk jam i përfshirë në asgjë të tillë. Ndonjëherë mendoj se është thjesht thashethem,” tha ai.
Ndërkohë, avokatët e Combs-it kanë kërkuar që ai të vuajë dënimin në burgun Fort Dix në New Jersey, për të qenë më pranë familjes dhe për të ndjekur trajtime kundër abuzimit me drogën.