
Të paktën tre persona janë plagosur nga shembja e një ndërtese në ndërtim e sipër në qendër të Madridit. Ndërtesa u shemb në rrugën Hileras, ku 11 ekipe zjarrfikëse nga Këshilli i qytetit të Madridit po punojnë dhe shërbimet e emergjencës po ashtu.
Një njësi Samur është në vendngjarje dhe ka trajtuar tre punëtorë. Njëri prej tyre është dërguar në spital me këmbë të thyer dhe dy të tjerët me lëndime të lehta, sipas Shërbimeve të Emergjencës së Madridit.
Samur po ashtu ka shpjeguar se punëtorëve u mungojnë disa kolegë, të cilët dyshohet se ndodhen nën rrënoja. Sipas mediave spanjolle që ju referohen burimeve hetimore të paktën katër persona janë bllokuar nën rrënoja.
Varias dotaciones de @BomberosMad trabajando en C/Hileras tras derrumbe de varios forjados en un edificio en obras.
— Emergencias Madrid (@EmergenciasMad) October 7, 2025
Desplegado un dispositivo de @SAMUR_PC en la zona.@policiademadrid trabajan con los drones@policia colaborando pic.twitter.com/slTP129zT5
Ndërtesa po rinovohej për t’i hapur rrugën një hoteli me katër yje. Një punëtor që punonte aty pretendon se “brenda mund të ketë pasur deri në 40 persona në kohën e shembjes”.
Sipas dëshmitarëve në momentin kur godina u shemb është dëgjuar një zhurmë nga pllaka e betonit, e ndjekur nga një re tymi.
Menaxherja e dyqanit të njohur të çokollatave San Ginés, që ndodhet përballë rrugës, i tha gazetës El Pais se aktualisht ka shumë oficerë të Policisë Kombëtare dhe ambulanca në vendngjarje.
“E gjithë ndërtesa u shemb dhe ne nuk mund të kalojmë. Është plot me ambulanca dhe policë dhe nuk na lejojnë të hyjmë. Të paktën gjashtë kate janë shembur dhe mund të ketë të paktën një person të bllokuar, nëse jo më shumë”, shpjegoi ajo.
“Ndërtesa që u shemb ishte braktisur për një kohë të gjatë dhe ishte në ndërtim e sipër. Ata kishin instaluar një vinç gjigant në skela. Më thanë se do të ndërtonin një hotel dhe se puna do të zgjaste dy vjet. Gjysmë ore më parë, ndjeva një dridhje të tmerrshme në rrugë dhe një sasi e madhe pluhuri u ngrit përpara ndërtesës, një re që i la njerëzit të frikësuar dhe të hutuar”, thotë një banore e rrugës që pa nga afër skenën e shembjes së godinës. (A2 Televizion)