
Ngjarja e ditës së djeshme, ku Elvis Shkambi vrau gjyqtarin Astrit Kalaja ka sjellë reagimin e një prej familjarëve të autorit.
Në një intervistë për TVA News daja i Elvis Shkambit ka hedhur dritë mbi sagën e historisë që solli tragjedinë ditën e djeshme.
Kristian Pylla, daja i autorit të vrasjes së gjyqtarit ka shprehur ngushëllime për familjarët e të ndjerit, teksa ka folur lidhur me shkakun që solli këtë tragjedi që sipas tij ka dy viktima, gjyqtarin dhe Elvisin, autorin e krimit.
“Unë jam Kristian Pylla, daja i të dyshuarit për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, në sallën e gjyqit. Në fillim dua t’i shpreh ngushëllimet e mia familjarëve të të ndjerit Kalaja dhe shërim të shpejtë dy të plagosurve që mbetën nga kjo ngjarje. Ju kam kontaktuar për të hedhur dritë mbi këtë ngjarje pasi kanë folur negativisht në disa studio televizive për nipin tim”, shprehet Kristiani.
I pyetur për arsyen se përse ndodhi kjo ngjarje Kristiani bën me faj drejtësinë shqiptare.
“Pak pikë dyshimi, kjo është një strumbullar që është bërë nga ana e shtetit me pronat. Elvisi është viktimë e drejtësisë së kalbur. Problemi me pronat është i të gjithë pjesëtarëve të familjes Shkambi. Këta janë pronarë të ligjshëm që kanë blerë truallin nga shteti në bashkëpunim me bashkinë Shkodër. Ai është një objekt që familja Shkambi ia ka blerë shtetit. Është një problem që ka mbi 15 vite. Në atë pallat, kam kushëri të tjerë nga ana e nënës që më kanë thënë: “Po është e vërtetë, ata janë me letra të sakta, ia kanë blerë shtetit këtë objekt dhe ne kur të na thotë shteti me dalë jashtë dhe të na gjejë një zgjidhje, ne e lirojmë objektin”. Ndaj them që strumbullar është shteti, sepse shteti ia ka shit edhe familjes Shkambi edhe banorëve që ia kanë blerë bashkisë Shkodër. Elvisi ka patur shpresë në drejtësinë shqiptare.”, shprehet Kristiani, daja i Elvisit.
Daja i Elvisit, Kristiani tregon detaje nga jeta e thjeshtë e Elvisit, duke rrëfyer se herë pas herë i ndiqte seancat gjyqësore me makinë rasti dhe jo makinë private luksoze. Ndër të tjera ai thotë se Elvisi paguante qira prej 25 vitesh sepse shteti nuk i jepte pronën e tij. Sipas Kristianit, Elvisi është djalë shembullor dhe me shkollë dhe jo siç është cilësuar në disa studio televizive si pjesëtar në grupe kriminale.
Në fund, Kristiani i bën thirrje drejtësisë shqiptare që të merret me shkaqet se si një qytetar i thjeshtë si Elvisi që ka vuajtur për të drejtën e tij, me edukatë dhe shembullor të ndërmarrë një akt të tillë. Ai ka një thirrje dhe për mediat, mos të hedhin akuza ndaj Elvisit, ai është një djalë që është rritur me sakrifica dhe sorollatet në shtëpi me qira për shkak të shtetit që është fajtor.