Shaqir Totaj shpalos projektin pas Shtëpisë së Bardhë: Hapësira të gjelbra e parking nëntokësor - Insajderi
×
  • Lajme
  • Zgjedhjet 2025
  • Lajme

    Shaqir Totaj shpalos projektin pas Shtëpisë së Bardhë: Hapësira të gjelbra e parking nëntokësor

    Insajderi
    07 October 2025 - 21:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka bërë të ditur se projekti i shumëpërfolur për rikthimin e hapësirës pas “Shtëpisë së Bardhë” në shfrytëzim publik do të jetë një nga projektet e para që do të realizohet gjatë mandatit të tij të dytë.

    Sipas tij, projekti është konceptuar në mënyrë moderne dhe me qëllim të qartë: krijimin e një hapësire të gjelbër për fëmijët dhe familjet, ndërsa në pjesën nën tokë do të ndërtohen parkingje për banorët dhe vizitorët e shumtë të qytetit.

    “Rikthimi i kësaj hapësire është punë e planifikuar dhe e menduar mirë. Në mandatin e dytë do ta realizojmë këtë projekt të shumëpritur, që do ta kthejë zonën pas ‘Shtëpisë së Bardhë’ në një hapësirë të gjallë e funksionale për qytetarët e Prizrenit”, theksoi kryetari Totaj.

    Ai shtoi se projekti është pjesë e vizionit të tij për një Prizren më të zhvilluar, më të gjelbër dhe më të qasshëm për të gjithë:

    “Hapësira e sipërme do të kthehet në gjelbërim për fëmijët dhe familjet, ndërsa poshtë saj do të ndërtohen parkingje të reja që do ta lehtësojnë dukshëm problemin e parkimit në qendër. Ky është një model urban që po e sjellim në shumë zona të qytetit”.

    Totaj nënvizoi se projektet e tilla janë vazhdimësi e punës së bërë në katër vitet e para të qeverisjes lokale dhe dëshmi e përkushtimit për t’ia kthyer qytetit çdo hapësirë publike në dobi të komunitetit:

    “Në mandatin e parë kemi transformuar shumë lagje e hapësira publike. Në mandatin e dytë, do të fokusohemi në realizimin e projekteve strategjike që modernizojnë Prizrenin dhe e bëjnë më të jetueshëm për çdo familje”.

    Ky projekt pritet të nisë me fazën e parë të zbatimit menjëherë pas përfundimit të procedurave të parapara, duke shënuar një tjetër hap konkret në rrugën e zhvillimit të Prizrenit.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark