
A po nxitohesh gjithmonë nga një vend ose nga një punë në tjetrën?
Atëherë mund të keni “sëmundje të nxitimit”, një term që përshkruan dikë që është gjithmonë në lëvizje, potencialisht në dëm të shëndetit të tij .
Një mjek me emrin Mark Cox ka folur mbi këtë sëmundje, duke treguar pasojat e saj.
“Kjo i mban mendjet dhe trupat tanë në një gjendje të vazhdueshme mbingarkese. Fiziologjikisht, ndikimi mund të jetë masiv”, është shprehur ai.
Sipas tij, mund të mos vërehet fillimisht se po vuajmë nga kjo sëmundje, derisa të kuptojmë se nuk po kemi momente qetësie në jetë, raporton The Sun, transmeton Klankosova.tv.
Ndërkaq, psikoterapistja, Mandy Saligari tha se gratë, sidomos nënat, të cilat e kanë të vështirë të thonë jo, mund të jenë më në rrezik “për shkak të roleve të dyfishta, pra që gjenden mes mëmësisë dhe punës.
“Në punë, ato mund të përpiqen të dëshmojnë veten, veçanërisht në mjediset e dominuara nga meshkujt dhe në shtëpi e gjejnë veten duke marrë përgjegjësi të mëdha, derisa ankohen se nuk marrin mbështetje të mjaftueshme nga partneri i tyre”, u shpreh ajo.
“Shoqëria shpesh i bën presion grave që të jenë vazhdimisht të zëna. Kjo mund të bëhet një strategji për të shmangur adresimin e ndjenjave më të thella të ankthit ose shqetësimit”, shtoi tutje ajo.
Mirëpo, ekspertët shëndetësorë kanë rekomanduar që është shumë e rëndësishme që t’i jepni vetës leje për të ngadalësuar ritmin, pa u ndjerë fajtorë dhe të kuptoni se pushimi nuk është luks, por domosdoshmëri.