
Kandidati për kryetar të Drenasit nga lista për “Për Drenasin Kamopion”, Ramiz Lladrovci, ka reaguar ashpër ndaj atyre që i quajti “bedelë partiakë”, duke thënë se këta persona nuk e kanë hallin e qytetarëve të komunës, por interesat e tyre personale.
“Bedelët partiakë nuk e kanë hallin e qytetarëve të Drenasit apo të partisë – hallin e kanë te paga dhe karriera”, shkroi ai.
Lladrovci u shpreh se fushata e tij po zhvillohet me entuziazëm të madh dhe se “orteqet e fitores po afrohen drejt cakut”.
Ai shtoi se mikpritja në çdo fshat e lagje të Drenasit është dëshmi e mbështetjes që po merr nga qytetarët për vizionin “Për Drenasin Kampion”.
“Nga takimet e zhvilluara deri më tani me mijëra qytetarë, bashkë me aktivistët, simpatizantët dhe kandidatët për Kuvendin e Komunës, kemi dëshmuar kulturë të lartë politike dhe komunikimi me bashkëqytetarët për vizionin tonë, për Drenasin – zemrën e Kosovës”, tha ai.
Ai theksoi se disa individë kanë tentuar të devijojnë vullnetin e qytetarëve, duke përfshirë edhe “bedelë nga komuna të tjera”, por sipas tij, kjo nuk do të ndikojë në rezultatin final.
“Bedelët po harrojnë se nuk ka bir nane që më largon nga PDK. Qytetarët e Drenasit do të votojnë për kryetarin meritor, pa dallim partie”, tha Lladrovci, duke shtuar se me 101 arsye “Për Drenasin Kampion” do të vazhdojë edhe katër vite të tjera në krye të komunës.