
Inspektori hetues në Komisionin Kosovar të Konkurrencës, Shemsi Elezi, ka reaguar pas pezullimit nga puna, duke e cilësuar vendimin si të padrejtë dhe të motivuar nga hakmarrja për kundërshtimin e veprimeve të jashtëligjshme brenda institucionit.
Në një reagim publik, Elezi tha se që nga viti 2023 është përballur me shkelje të të drejtave si zyrtar publik, pasi nuk ka lejuar, siç thotë ai, “të punohet jashtëligjshëm”. Ai përmend se më 29 nëntor 2023 është sulmuar fizikisht nga Selajdin Beqa, i cili sipas tij vazhdon të mbajë pozitë në mënyrë të kundërligjshme dhe me mbështetje nga kryetarja e Autoritetit, Neime Binaku-Isufi, shkruan Insajderi.
“Që nga ajo kohë e deri më sot, i njëjti qëndron jashtëligjshëm dhe është i mbështetur nga kryetarja e Autoritetit. Këta dy persona e kanë kthyer mbrapsht një institucion shumë të rëndësishëm për ekonominë e Kosovës”, ka deklaruar Elezi.
Ai ka akuzuar Beqën për marrje të vendimeve të dëmshme dhe të paligjshme, duke pretenduar se janë shkaktuar dëme financiare ndaj institucionit në vlerë prej mbi 30 mijë eurosh përmes punësimeve dhe ngritjeve të paligjshme në detyrë.
Sipas Elezit, Komisioni Disiplinor që ka marrë vendim për pezullimin e tij është i formuar në kundërshtim me ligjin. Ai përmend se kryesuesi i komisionit, Arsim Tërnava, dhe anëtarët Ilrjana Zariqi e Flamur Zogiani, kanë shkelur rregulloret në fuqi duke mos zbatuar pezullimin e vetë Beqës, ndonëse ai sipas vendimeve të KPMSHCK dhe opinionit të Agjencisë Kundër Korrupsionit, është në konflikt interesi.
“Komisioni ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative dhe Ligjin për Zyrtarët Publikë. Pezullimi im është i pabazuar dhe i ndikuar nga persona që tashmë kanë shkelur ligjin”, ka thënë Elezi.
Postimi i plotë: