
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për Asamblenë Komunale të Prishtinës, Andi Belegu (numri 50), ka shprehur përkushtimin e tij për të mbështetur punëtorët, tregtarët dhe sipërmarrësit e kryeqytetit, duke theksuar se është koha që komuna të jetë partner në zhvillim, e jo pengesë.
Përmes një postimi në Facebook, Belegu ka theksuar se në çdo cep të Prishtinës takon njerëz që punojnë me mund, tregtarë, zejtarë, fermerë e gra sipërmarrëse të cilët, sipas tij, janë zemra e ekonomisë së qytetit, por që prej vitesh janë lënë në harresë.
“Pa hapësira të denja, pa mbështetje e pa kushte për të zhvilluar punën e tyre. Koha është që komuna të jetë partner, jo pengesë”, ka deklaruar Belegu.
Ai ka bërë të ditur një sërë zotimesh që synojnë të gjallërojnë ekonominë lokale të Prishtinës, duke përfshirë:
Renovimin e tregjeve të qytetit për t’i kthyer në hapësira të pastra, funksionale dhe të gjalla;
Funksionalizimin e tregut të automjeteve, kafshëve dhe lëndëve drusore, që të punojë me rregull dhe transparencë;
Rivitalizimin e qendrave tregtare në lagje, për t’i kthyer ato në pika të gjalla ekonomike;
Përkrahje për bujqit dhe grante për gratë sipërmarrëse;
Zgjerimin e rrjetit të tregjeve mobile për fermerët dhe artizanët.
“Koha është për Prishtinën!”, përfundon mesazhin e tij kandidati i PDK-së, Andi Belegu.