
Komuna e udhëhequr nga Përparim Rama ka shpërblyer me tender kompaninë e ish-kandidatit për deputet nga LDK-ja, Besim Mulaj. Vlera e kontratës është rreth 80 mijë euro. Besim Mulaj zotëron 100% të aksioneve të kompanisë ART – EDA SH.P.K. Ai është një figurë e angazhuar në LDK dhe ka fituar edhe më herët kontrata nga komuna e udhëhequr nga Rama.
Gazeta Insajderi
Komuna e Prishtinës ka shpallur fituesin e tenderit për “RENOVIMI I SHKOLLAVE FILLORË – Mbulimi i kulmit të rrafshët, renovimi i mureve të dëmtuara dhe riparimi i dyshemesë të shkollës ‘Qamil Batalli’”.
Në garë ishin katër operatorë, ndërsa fitues ka dalë grupi me çmimin më të shtrenjtë, “Art-Eda” sh.p.k. dhe “H&S Partners Group” sh.p.k., në vlerë 79,898.98 euro.
Një nga operatorët pjesëmarrës në këtë tender, ka dorëzuar një ankesë kundër vendimit të Komunës së Prishtinës për dhënien e kontratës.
Konflikt interesi i mundshëm i drejtorit të prokurimit në AMKMK
Në Organin Shqyrtues të Prokurimit një kompani kishte ngritur akuza ndaj Besim Mulajt dhe kompanisë së tij. Aty pretendohej se ekziston konflikt i mundshëm interesi.
Besim Mulaj, pronar i kompanisë LONI SH.P.K., sipas këtyre prentendimeve është njëkohësisht drejtor i prokurimit në Agjencinë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës (AMKMK).
Sipas ankesës, kompania fituese ka përdorur stafin teknik të “LONI SH.P.K.” për realizimin e projektit, pavarësisht se kjo kompani ka kontrata aktive me AMKMK.
“Sipas Certifikatës së regjistrimit në ARBK konstatohet se Besim Mulaj është pronar i kompanisë. Z. Mulaj është drejtor i Prokurimit në Agjencinë për Menaxhimin e Komplekseve Memorialeve të Kosovës (AMKMK). Sipas dokumenteve të dorëzuara nga grupi i operatorëve ekonomikë (GR OE) që është shpallur fitues i këtij aktiviteti, ne si operator ekonomik ankues kemi hasur se i njëjti GR OE ka përdorur dokumentat e stafit profesional, teknik dhe mbështetës të kompanisë LONI sh.p.k. Sipas CV-ve dhe referencave të tyre, përshkruhet se këta persona janë të punësuar aktivisht tek OE LONI sh.p.k., si: z. Musli Kuteshi – inxhinier i ndërtimtarisë konstruktiv; Emir Bunjaku, inxhinier arkitekture; z. Mirsim Maloku – bachelor i emergjencave; Shemsi Maloku – teknik i ndërtimtarisë; Arsim Maloku – zdrukthtar; Ferat Maloku – armues; Ragip Latifi – mjeshtër; dhe Vehbi Jetullahu – armues“.
Aty pretendohet se edhe një nga inxhinierët kyç të grupit fitues, Emir Bunjaku, është i punësuar aktiv në një ndërmarrje publike e cila është pronë e Komunës së Prishtinës.
Kompania ankuese ka paralajmëruar se do ta denoncojnë rastin edhe në Policinë e Krimeve Ekonomike për hetim.
“Ne si operator ekonomik konsiderojmë konflikt interesi nëse i njëjti staf i lartpërmendur është përgjegjës për ekzekutimin e kontratave që OE Loni sh.p.k. i ka aktive me AK-se AMKMK, ku drejtor i prokurimit është z. Mulaj. Nëse vërtetohet kjo, ku kërkojmë që të vërtetohet, se OE Loni sh.p.k. posedon kontrata aktive me AK-se AMKMK dhe nëse OE Loni sh.p.k. e angazhon të njëjtën staf për ekzekutimin e kontratave aktive me AMKMK, atëherë është e paarsyeshme të vazhdojmë më tej përveçse të angazhojmë nga AK-se KK Prishtinë dhe OSHP – Policinë e Krimeve Ekonomike për hetim“.
OSHP refuzon ankesën
Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka refuzuar si të pabazuar ankesën e kompanisë ndaj vendimit të Komunës së Prishtinës.
Angazhimi i Emir Bunjakut, thuhet se nuk përbën konflikt interesi, pasi ai nuk ka pasur ndikim në procesin e vendimmarrjes së Komunës dhe ka qenë i përfshirë vetëm si staf teknik.
Dokumentacioni i dorëzuar nga fituesi, sipas OSHP përmbush kërkesat e ligjit për prokurim publik.
Kush është njëra kompani fituese e këtij tenderi?
Njëra kompani fituese, e tenderit për të cilën u ngritën dyshime është ART – EDA SH.P.K.
ART – EDA SH.P.K. është kompani e regjistruar në vitin 2017.
E njëjta është në pronësinë e ish kandidatit për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Besim Mulaj
Mulaj në kompaninë ART – EDA, ka 100 përqind të aksioneve, duke qenë pronar i vetëm.
Besim Mulaj ka qenë kandidat për deputet në zgjedhjet e 9 shkurtit, nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Mulaj pati garuar me numrin 79 dhe kishte qenë mjaft aktiv gjatë fushatës zgjedhore.
Madje, jo rrallë herë, ai ishte parë edhe krah kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.
Vetë Mulaj kishte publikuar një foto gjatë fushatës zgjedhore, ku shiheshin të përqafuar e të qeshur me Ramën.
Në ndërkohë, ky nuk është tender i vetëm që mori nga Rama. Në qershor Mulaj ka fituar edhe tenderin “Ndërtimi dhe renovimi i Qendrave të ndryshme sociale në lagjet Kodra e Trimave , Tophane , Qafa , Aktashi , Pejtoni , “Ulpiana”.
Vlera e parashikuar e këtij tenderi kishte qenë 100 mijë euro.
Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje në komunën e Prishtinës, se a ka ndikuar afërsia politike e Mulajt, që të shpërblehet me tender, mirëpo deri në publikimin e këtij teksti nuk kanë kthyer përgjigje. Insajderi.org