
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Fushë Kosovës, Besnik Osmani, ka zhvilluar takime me banorët në disa lagje të komunës, ku ka prezantuar programin e tij qeverisës dhe ka dëgjuar shqetësimet e qytetarëve.
Në një takim me banorët e rrugës “Xhemajl Mustafa”, Osmani tha se synimi i tij është ndërtimi i një qeverisjeje bashkëpunuese dhe transparente.
“Diskutuam për programin qeverisës dhe dëgjuam sugjerimet e banorëve. Faleminderit të gjithë pjesëmarrësve për mbështetjen dhe bashkëbisedimin”, ka thënë ai.
Ndërsa në takimin me banorët e Sllatinës së Vogël, Osmani u shpreh i inkurajuar nga përkrahja që po merr në terren.
“Ishte kënaqësi e veçantë të bisedojmë për projektet që na presin në të ardhmen e afërt. Besim i palëkundur dhe përkrahje masive për të ardhmen demokratike të Komunës së Fushë Kosovës”, theksoi kandidati i LDK-së.
Osmani po vazhdon takimet me qytetarë nëpër të gjitha lagjet dhe fshatrat e komunës, me moton “Fushë Kosova Përtej!”.