Uran Ismaili nga Dardania: Me 12 tetor po fillon epoka e ndryshimit në Prishtinë!  - Insajderi
×
  • Lajme
  • Zgjedhjet 2025
  • Lajme

    Uran Ismaili nga Dardania: Me 12 tetor po fillon epoka e ndryshimit në Prishtinë! 

    Insajderi
    08 October 2025 - 22:24
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, sonte iu drejtua qindra qytetarëve të mbledhur në lagjen Dardania, një nga lagjet më të mëdha, më moderne dhe njëherësh të lëna pas dore nga qeverisjet e fundit. Ai premtoi se kjo zonë do të marrë më në fund investimet dhe kujdesin që meriton, pas viteve të harresës dhe premtimeve të pambajtura.

    “Dardania është simbol i një Prishtine ikonike, por për 20 vite është lënë në hije. Vizitohet vetëm në fushata, por harrohet sapo mbyllen kutitë e votimit. Kjo do të ndryshojë më 12 tetor. Nga dita e parë do të fillojmë punën për të sjellë ndryshime konkrete dhe të prekshme për këtë lagje,” tha Ismaili.

    Ai kritikoi ashpër qeverisjet e kaluara dhe aktuale për premtime boshe dhe projekte që nuk kanë sjellë zgjidhje për problemet e përditshme të qytetarëve:

    “Dardania përballet çdo ditë me probleme që nuk kanë marrë zgjidhje – rrugë dhe trotuare të dëmtuara, mungesë të mirëmbajtjes së hapësirave publike, ndriçim të pamjaftueshëm, trafik të dendur, jo mirëmbajtje të ndërtesave dhe mungesë të investimeve në infrastrukturë moderne për banorët e saj.”

    Ismaili paraqiti zotimin e tij për punë të menjëhershme dhe konkrete sapo të marrë detyrën.

    “Do të kthehem rregullisht në Dardani për të parë përmbushjen e zotimeve tona. Puna do të nisë menjëherë, me rezultate të dukshme dhe të matshme – jo projekte të largëta që nuk realizohen kurrë,” theksoi ai.

    Në fund, Ismaili dha një zotim të qartë dhe të guximshëm për qytetarët e Dardanisë:

    “Nëse nuk përmbush të paktën 90% të zotimeve të mia, nuk do të kërkoj më votën tuaj. Dardania nuk do të jetë më vetëm premtim elektoral. Më 12 tetor fillon një epokë e re ndryshimi – për këtë lagje dhe për gjithë Prishtinën.”


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark