
Ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, është deklaruar lidhur me dronët kamikazë Skydagger, që erdhën me mijëra copë në Kosovë pas blerjes nga shteti turk.
Mehaj ndër të tjera ka treguar se gjatë kohës sa ishte ministër kishte nënshkruar marrëveshjen shtet më shtet për furnizimin me mjete ushtarake, shkruan Insajderi.
“Kjo marrëveshje nuk është bërë publike menjëherë, ashtu siç kishim rënë në ujdi me partnerin tonë, për arsye konfidencialiteti dhe sigurie operacionale. Tani që dërgesat janë të dukshme për të gjithë, është e rëndësishme të sqaroj një gjë: mënyra se si u arritën marrëveshjet shtet me shtet shpesh është keqkuptuar”, tha ndër të tjera ai.
Mehaj çoi “selam” edhe për Vuçiqin dhe udhëheqësit e tjerë të Serbisë, ku tha se Kosova është shumë më e fuqishme ushtarakisht sesa që paramendohet.
“Ndërsa sa i përket reagimeve të presidentit serb rreth ardhjes në Kosovë të dronëve kamikaz, dua t’i kujtoj Vuçiqit dhe çdo udhëheqësi tjetër serb se Kosova është shumë më e fortë ushtarakisht sesa paramendohet. Andaj, paqja në Ballkan është më se e domosdoshme, dhe kjo arrihet vetëm me respekt dhe bashkëpunim. Me këtë rast, bëjmë thirrje që Serbia ta shmangë retorikën luftënxitëse dhe një herë e përgjithmonë të shkëputet nga politika e ish diktatorit Millosheviç”, tha ai.
“Ka edhe shumë marrëveshje të tjera që do te përmenden më vonë, dhe ka shumë armatim që as në ëndërr nuk e kemi pa më parë. Këto punë i kam kryer bashkë me ekipin tim në Ministrinë e Mbrojtjes”. /Insajderi.org/