Gazeta Reporteri e shqetësuar për vendimin e jashtëligjshëm të KQZ-së për mos akreditimin e vëzhguesve të mediumit - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Gazeta Reporteri e shqetësuar për vendimin e jashtëligjshëm të KQZ-së për mos akreditimin e vëzhguesve të mediumit

    Insajderi
    10 October 2025 - 11:23
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gazeta online Reporteri.net (R Media L.L.C.) ka pranuar me shqetësim vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për mos akreditimin e dy vëzhguesve të mediumit për Zgjedhjet Lokale të 12 Tetorit 2025.

    Ndonëse në vendimin e KQZ-së theksohet se pas verifikimit të dokumentacionit mediumi plotëson kriteret për tu akredituar për zgjedhjet e së dielës, “në takimin e KQZ-së të mbajtur më 9 tetor 2025 është hapur diskutimi në lidhje me aplikimin e mediave vendore dhe ndërkombëtare, ku disa anëtar të KQZ, kanë ngritur dyshime mbi vërtetësinë e mediave të paraqitura, përfshirë origjinën dhe legjitimitetin e dokumenteve të dorëzuara”.

    Andaj – thuhet në vendimin e nënshkruar nga kryesuesi Kreshnik Radoniqi – “me rastin e votimit, media e lartcekur [Reporteri – R Media L.L.C.] nuk ka marrë votat e nevojshme për akreditim, nga anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve“.

    Reporteri.net e sheh këtë vendim si të jashtëligjshëm e të papranueshëm dhe që dëmton drejtpërdrejt funksionimin dhe lirinë e medias si vëzhguese e pavarur e proceseve demokratike.

    Gazeta online Reporteri.net siguron opinion publik se mediumi i themeluar në mars të vitit 2019, që drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj, është i regjistruar në Agjencinë e Regjistrit të Bizneseve të Kosovës (ARBK), si dhe si është anëtar i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK), dhe se dokumentet e dorëzuara në KQZ janë legjitime dhe lehtësisht të verifikueshme.

    Reporteri.net apelon që KQZ të rishqyrtojë këtë vendim, në mënyrë që të garantohet trajtim i barabartë për të gjitha mediat dhe të sigurohet një proces zgjedhor transparent, ku informimi i drejtë dhe i pavarur të mos vihet asnjëherë në pikëpyetje.

    Reporteri.net të premten, përveç që do të dorëzojë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), për vendimin e KQZ-së do t’i njoftojë zyrtarisht edhe Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe organizatat tjera që mbrojnë lirinë e medias, si dhe partnerët tanë ndërkombëtarë që ndërvite mbështesin mediumin dhe gazetarinë e pavarur e profesionale.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark