
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka qëndruar mbrëmë në Fushë Kosovë, në përkrahje të kandidatit të PDK-së për kryetar të kësaj komune, Rrahim Ternava.
Krasniqi, në një tubim në mesin e mbështetësve të PDK-së, tha se nga 12 tetori do t’i vie fundi qeverisjes stagnuese dhe degraduese në Fushë Kosovë.
“Qytetarët këtu po kërkojnë ndryshim. Unë e di që secili prej jush i gëzohet fitores në Fushë Kosovë. Të punojmë bashkë deri në momentin e fundit. Secili prej jush mund të bëj edhe pak në mënyrë që të jetë fituese PDK, numri 191 dhe kryetari i ardhshëm, Rrahim Ternava”, ka kërkuar Krasniqi.
Ndërkaq, kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Fushë Kosovës, Rrahim Ternava është zotuar për arsim cilësor, shërbime shëndetësore efikase, investime në infrastrukturë dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët.
“Ne prapë ia kemi dalë dhe sot jemi ku jemi këtu së bashku që më 12 tetor të kremtojmë e të festojmë fitoren bashkë”, ka thënë Ternava.