
Të tjera detaje bëhen me dije nga shpërthimi që ndodhi të premten, më 10 tetor, në një fabrikë eksplozivësh në Tennessee. Ky incident sipas autoriteteve lokale, ka lënë 19 persona të zhdukur dhe ka shkaktuar dëme të mëdha materiale. Ngjarja ndodhi në mëngjesin e së premtes në objektin e kompanisë Accurate Energetic Systems, e specializuar në prodhimin dhe ruajtjen e eksplozivëve, pranë qytetit Bucksnort, në jugperëndim të Nashville.
Sherifi i qarkut Humphreys, Chris Davis, në një dalje emocionale, konfirmoi se 19 persona janë të zhdukur dhe se nuk ka ende një shpjegim për shkakun e shpërthimit.
Pamjet nga ajri tregojnë mbetje të djegura, automjete në tym dhe pothuajse asgjë të mbetur nga objekti industrial.
Shpërthimi ndodhi pak para orës 08:00 me orën lokale dhe u ndje në disa qarqe fqinje. Ekipet e emergjencës nuk mundën të hynin menjëherë në vendngjarje për shkak të shpërthimeve të vazhdueshme.
Sipas gazetës WPLN News, objekti shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 1 mijë e 300 hektarësh dhe ka realizuar mbi 100 milionë dollarë kontrata federale gjatë dy dekadave të fundit.
Gazetarja Cynthia Abrams e përshkroi shpërthimin si “i madh”, duke cituar banorë që e kishin ndjerë tronditjen deri në 43 kilometra larg.
Dr. Chris Shepherd nga Universiteti i Kentit tha se zakonisht problemet me eksplozivët ndodhin në fazën e lëndëve të para, jo në produktin final. Ai shpjegoi se eksplozivët si TNT apo nitroceluloza, kur janë të stabilizuar, janë shumë të sigurt për ruajtje afatgjatë. Por në formën e tyre të papërpunuar, ato janë “shumë të rrezikshme”.
BBC shkruan se katër deri në pesë persona janë evakuuar në spital për trajtim mjekësor. Tre pacientë janë paraqitur vetë në spitalin TriStar Health në Dickson, ku dy janë liruar dhe një tjetër po trajtohet për lëndime të lehta.
Raportimet lokale flasin për pacientë të tjerë të trajtuar në spitale të zonës.
Hetimi po udhëhiqet nga autoritetet e qarkut Hickman dhe Humphreys, në bashkëpunim me ATF, FBI, Homeland Security dhe Byron e Hetimeve të Tennessee.
Në të njëjtin vend, në vitin 2014, ndodhi një shpërthim fatal në një njësi të operuar nga kompania Rio Ammunition, ku një person humbi jetën dhe tre të tjerë u plagosën.
Sherifi Davis e përshkroi vendin e ngjarjes si “një nga më shkatërruesit” që ka parë ndonjëherë: “Nuk ka asgjë për të përshkruar, është zhdukur.”, tha ai për objektin.
Hetimet pritet të zgjasin disa ditë, ndërsa autoritetet përgatiten për një tjetër përditësim zyrtar më vonë gjatë ditës.