
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë dhe kandidati për një mandat të dytë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ferit Idrizi, ka vënë sot gurthemelin për ndërtimin e parqeve solare në territorin e komunës, një projekt që pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik dhe energjetik të Vushtrrisë.
Ky investim, me kapacitet prej 22 megavatësh dhe vlerë prej 10 milionë euro, do të realizohet nga kompanitë Esha Energy dhe Mdynamic Solutions, me investitorët Bekim Shyti dhe Arten Bajrushi.
Kryetari Idrizi theksoi se projekti është pjesë e vizionit të tij për një Vushtrri moderne, të zhvilluar dhe të gjelbër:
“Ky është një hap konkret drejt zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Parqet solare do të hapin vende të reja pune, do të sjellin energji të pastër dhe do ta bëjnë komunën tonë shembull në nivel vendi për investime të gjelbra,” – deklaroi Idrizi.
Komuna e Vushtrrisë ka ofruar mbështetje të plotë për realizimin e këtij projekti, i cili pritet të përfundojë në disa faza dhe të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve lokale të prodhimit të energjisë së rinovueshme.