Në komunën e Gjakovës, sipas rezultateve të publikuara deri më tani nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, është në epërsi në garën për kryetar komune.
Gjini ka marrë 47.74 për qind të votave, që përkthehet në 18,893 vota. Pas tij renditet kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola, me 32.82 për qind apo 12,989 vota.
Në vendin e tretë është Shefqet Shehu nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 7.61 për qind (3,012 vota), ndërsa Ervin Shabani nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka marrë 5.75 për qind (2,277 vota).
Më pas vjen Anton Shala nga Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës (PSHDK) me 5.65 për qind (2,234 vota), ndërsa kandidati i pavarur nga subjekti “Ndryshe – UDK”, Mehmet Krasniqi, ka marrë 0.29 për qind të votave (113 vota).
Sipas të dhënave të KQZ-së, në këtë komunë janë numëruar 100 për qind e vendvotimeve, me një pjesëmarrje prej 32.5 për qind të votuesve të regjistruar.
Siç duket, fati i Gjakovës përcaktohet nga votat me kusht dhe ato të diasporës, për të parë nëse kjo komunë përmbyllet me apo pa balotazh. /Insajderi.org/
