Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me një incident që ka ndodhur të dielën, gjatë ditës së Zgjedhjeve Lokale në Drenas.
Sipas raportit zyrtar, më 12 tetor 2025, rreth orës 14:36 në Gllogoc, pas një mosmarrëveshjeje në komunikacion ka shpërthyer një përleshje mes tre personave të dyshuar, të gjithë meshkuj kosovarë.
Dy nga të dyshuarit janë arrestuar në vendin e ngjarjes, ndërsa i treti është ende në arrati.
Gjatë kontrollit të kryer nga policia, në njërën veturë janë gjetur dhe sekuestruar një shufër metali dhe një sopatë, ndërsa në veturën tjetër është gjetur një gëzhojë, për të cilën dyshohet se është shkrepur nga i dyshuari që është në arrati.
Me vendim të prokurorit të rastit, dy personat e arrestuar janë dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet për identifikimin dhe arrestimin e të tretit po vazhdojnë.