Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur sot aktakuzë ndaj të pandehurëve P.T., A.G. për veprën penale “Detyrimi”, ndërsa ndaj M.A. për veprat penale “Fajdeja” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Insajderi merr vesh se bëhet fjalë për Pajazit Tërnava, Arben Gashi, Milazim Ahmetaj.
Akuzat për fajde – dëmi mbi 100.000 mijë euro
I pandehuri Pajazit Tërnava dhe Arben Gashi akuzohen se gjatë viteve 2022-2023, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, kanë detyruar viktimën B.P, që të ndërmarrë veprime në dëm të pasurisë së tij.
Sipas aktakuzës, Pajazit Tërnava, e kishte autorizuar viktimën për shitjen e një lokali në pronësi të tij, duke e mashtruar se i ishte bllokuar llogaria bankare.
Viktima kishte lidhur kontratë për shtijen e lokalit me Arben Gashi në vlerë prej 150 mijë eurosh. A.G., me arsyetimin se nuk është realizuar kontrata, përmes kanosjes e ka detyruar viktimën të paguajë shuma të mëdha parash.
Ndërsa, Milazim Ahmetaj e kishte detyruar B.P të paguaj tri herë më shumë sesa shumën e borxhit, të cilin viktima ishte detyruar ta merrte për shkak të gjendjes së rënduar financiare.
Viktima është dëmtuar në shumën mbi 100.000 mijë euro.
Lidhur me dyshimet që rëndojnë mbi Pajazit Tërnava, ka raportuar Insajderi në shkurt të vitit 2024.
Ish-kreu i Bashkësisë Islame në Fushë Kosovë, Pajazit Tërnava ishte intervistuar nga Departamenti për Krime të Rënda brenda Policisë së Kosovës. Gazeta Insajderi kishte siguruar thirrjen e policisë për intervistimin e të parit të BI- Fushë Kosov.
Sipas thirrjes, i dyshuari Pajazit Tërnava ishte paraqitur për intervistim me datën 12.02.2024 në Drejtorinë e Hetimeve të Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në stacionin e policisë në rrugën “Luan Haradinaj” në Prishtinë.
Ai ishte Intervistuar për veprën penale “Krim të Organizuar.