Sot në Tiranë do të mbahet protesta “Drejtësi për çlirimtarët”, e cila organizohet për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së që ndodhen në Hagë. Në të do të marrë pjesë edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Përpara fillimit të protestës, ai është pritur nga Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
Sipas Ahmetit, në bisedën e tyre u diskutuan zhvillimet aktuale në rajon, proceset euroatlantike dhe roli i rëndësishëm i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në ruajtjen e paqes dhe bashkëpunimit ndërfqinjësor.
“E përgëzova Presidentin Begaj për përparimin e Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit evropian, duke theksuar se është jetike që edhe Maqedonia e Veriut të ecë përkrah Shqipërisë në këtë proces. Rruga drejt Brukselit është një rrugëtim strategjik kombëtar, që forcon paqen, zhvillimin dhe bashkëpunimin rajonal. Të dyja vendet tona duhet të ecin krah për krah drejt një të ardhmeje të përbashkët evropiane.Në takim theksuam gjithashtu rëndësinë e forcimit të stabilitetit rajonal, përshpejtimit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe heqjes së kufijve që ndajnë vëllezërit e një gjaku, të cilët, në Evropën e bashkuar, duhet të shndërrohen në ura që bashkojnë popujt”, shkroi Ahmeti në Facebook.