Që nga janari e deri në tetor, 26 persona kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës, këtë e ka bërë të ditur kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi.
Kritika të mëdha janë drejtuar ndaj të gjithë akterëve përgjegjës për gjendjen e punëtorëve në sektorin privat.
Ndërkaq, ushtruesi i detyrës së drejtorit në Inspektoratin e Punës, Rizah Plakolli, tha se inspektorati është duke hartuar një plan veprimi për të parandaluar rastet me fatalitet.
“Rastet e shkeljeve për vitin 2025 janë zvogëluar kryesisht në fushën e marrëdhënieve të punës, ka më pak shkelje, ndërsa në fushën e sigurisë janë rritur rastet e shkeljeve. Çdo herë kemi bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës. Sfidat që e kanë shoqëruar Inspektoratin e Punës janë rastet e aksidenteve në vendin e punës që janë me fatalitet, dhe kjo vazhdon të jetë ende sfidë për inspektoratin. Mirëpo jemi duke hartuar një plan veprimi që do të ndërmerret brenda këtij viti dhe do të dalim me rekomandime të përkohshme për përmirësimin e gjendjes. Ne parashohim inspektimin dixhital dhe inspektime me anë të hapësirës ajrore”, tha Plakolli.
Plakolli për rastet me fatalitet i fajësoi punëdhënësit.
“Është rritur numri i rasteve që përfundojnë me fatalitet. Fatkeqësisht është rritur dhe na vjen keq për familjarët e tyre, por nuk janë të ndërgjegjësuar punëdhënësit dhe punëmarrësit, nuk i respektojnë rregullat e sigurisë, nuk i respektojnë ligjin për siguri dhe për punë, si nga punëdhënësit ashtu edhe nga punëmarrësit. Përfaqësuesit e tyre dhe kontrollet për siguri lejojnë të ndodhë një gjë e tillë që punëtorët të ngjiten lart në ndërtim pa mjete mbrojtëse, pa rrethimin e vendpunishteve dhe pa mbylljen e hapësirave të brendshme. Derisa t’i marrim këto masa, do të kemi këtë gjendje. Së shpejti do ta funksionalizojmë edhe këtë që do të vendosim gjoba që të respektohet ligji”, theksoi ai.
Sipas Plakollit, Inspektorati ka shqiptuar gjoba dhe ka mbyllur biznese.
“Ne si inspektorat nuk kemi qëndruar duarkryq. Kemi zhvilluar aksione në nivel të vendit dhe jemi përqendruar në rajonin e Prishtinës, ku kemi zhvilluar 131 inspektime, 31 riinspektime, dhe ato 131 inspektime kanë përfunduar me mbyllje dhe janë shqiptuar masa ndëshkuese”, shtoi Plakolli.
Ndërkohë, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, për Ekonomia Online tha se në 95 për qind të rasteve që përfundojnë me fatalitet, fajtorët kryesorë janë punëdhënësit.
“Që nga paslufta e deri më tani, ky vit deri më 1 tetor është fatkeqësisht viti me numrin më të madh të vdekjeve në vendet e punës. Që nga janari i vitit 2025 deri më sot i kemi 26 raste të vdekjeve në vendet e tyre të punës, 68% të tyre janë punëtorë të kompanive private që punojnë në ndërtimtari, ndërsa pjesa tjetër janë në profile të ndryshme, por gjithsesi janë punëtorë të sektorit privat të Kosovës. E përshkruajmë si jashtëzakonisht shqetësuese. Shqetësimi më i madh është se asnjë institucion shtetëror, por as pronarët e kompanive, nuk po merren seriozisht me këtë çështje. Ndoshta mosefikasiteti i organeve shtetërore në përndjekjen e këtyre pronarëve është arsyeja, sepse në 95% të rasteve shkaktarët janë pronarët e kompanive që nuk realizojnë mbrojtjen dhe sigurinë në punë”, tha Azemi.
Sa i përket rasteve që përfundojnë me vdekje të punëtorëve, Azemi fajëson edhe Inspektoratin e Punës dhe gjykatat.
“Normal që pjesë e fajit kryesor janë edhe Inspektorati i Punës, por në një formë janë edhe gjykatat, sepse kemi raste ku punëtorët kanë humbur jetën para 6-7 viteve dhe ende nuk është arritur deri në një përfundim. Familjarët nuk marrin asnjë kompensim, as deri në përfundim të vendimit të gjykatës. Gjyqësia e vonuar është e barabartë me një padrejtësi. Vet fakti kur i jepet gjykatës të marrë vendim për një rast të vdekjes për më shumë se 6-7 vite, atëherë në shumicën e rasteve ne si punëtorë e humbim këtë kontest, sepse nuk kemi para t’i japim kujtdo qoftë. Ne jemi një kategori e varfër dhe gjithmonë humbës, sepse humbim jetën dhe humbim rastet në gjykata”, tha ai.
Sa i përket deklaratave të Plakollit për gjobitje dhe mbyllje të bizneseve, Azemi tha se kjo nuk është e vërtetë, sepse deri më sot nuk ka pasur mbyllje të bizneseve.
“Të dy këto nuk janë të vërteta, sepse unë nuk kam asnjë informacion se është mbyllur ndonjë biznes apo ndonjë pronar kompanie. Dënimet që i japin kompanive janë qesharake. Për shembull, në Gjakovë ku vdiqën dy punëtorë për shkak të një dërrase të dobët, ata thonë që e kanë dënuar kompaninë dy herë. Kam parë që nuk po respektohet ligji për siguri dhe kujdes në punë. Nuk jam shumë i njoftuar, por kam bindjen që këta inspektorë japin gjoba nga 50 deri në 500 euro, dhe për ato 50 euro rrezikohet jeta e punëtorit jo dy herë, por 200 herë. Nëse inspektori e ka vërejtur dy herë që pronari nuk i respekton mjetet e punës, ai duhet të mbyllet menjëherë. Por, po e them, një pjesë e madhe e inspektorëve janë të lidhur me pronarë kompanish, madje edhe me institucione shtetërore. Gjithë këtë faturë po e paguajmë ne, por në mënyrë indirekte do ta paguajë edhe shteti, sepse vetëm për 3-4 vite rreth 300 mijë punëtorë e kanë lëshuar Kosovën. Vendi tani po përballet me mungesë të fuqisë punëtore. Kjo nuk ka ndodhur nga dëshira, por për shkak të pagave të ulëta, mungesës së sigurisë dhe shëndetit në punë, si dhe problemeve me trustin e punëtorëve. Kemi ardhur në një gjendje alarmante”, përfundoi Azemi.