Insajderi
Lajme

Pacolli reagon për Aeroportin e Vlorës: Nuk jam ftuar për dëshmi, është komplot kundër meje

Insajderi
19 October 2025 - 14:40
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Pacolli reagon për Aeroportin e Vlorës: Nuk jam ftuar për dëshmi, është komplot kundër meje
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Behgjet Pacolli ka reaguar pas skandalit që ka shpërthyer lidhur me Aeroportin e Vlorës, duke e cilësuar atë si një “komplot të koordinuar” në Shqipëri kundër emrit të tij.

Përmes një postimi në Facebook, Pacolli thekson se deri më sot nuk është ftuar nga askush për të dhënë dëshminë e tij. Ai shton se investimet e këtij projekti janë 100% nga asetet e tij personale dhe ka dëshmi që vërtetojnë të kundërtën e asaj që është raportuar në media.

Ai shkruan:

“ÇFARË ËSHTË KY KOMPLOT I KOORDINUAR NË SHQIPËRI KUNDËR EMRIT TIM, pikërisht tani që ndërtimit të aeroportit po i vjen fundi?! Çfarë janë këto ofendime? Kush po e orkestron këtë fushatë shpifjesh dhe pse? Unë, përveçse po përpiqem të mbroj pronën time, nuk kam dhënë asnjë intervistë dhe nuk kam iniciuar asnjë proces gjyqësor që të shërbejë si shkak për përfolje. Duket qartë se dikush tjetër po merret me këto procese, ndërkohë që unë deri më sot nuk jam ftuar nga askush për të dhënë as dëshminë, as sqarimet e mia.”

Sipas mediave shqiptare, Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet ndaj Behgjet Pacollit, dhe ndaj vëllait të tij Emin Pacolli, si dhe Nelson Çelës, administrator i kompanisë mëmë në Zvicër, Mabco Construction S.A. Të tre janë nën hetim për mashtrim me pasoja të rënda, mashtrim kompjuterik, si dhe falsifikim dokumentesh dhe aktesh.

Gjykata e Tiranës, dy ditë më parë, me kërkesë të kompanisë 2A Group të Valon Ademit, vendosi masën e sigurimit të padisë ndaj Shoqërisë “Vlora International Airport – VIA” SH.P.K., duke pezulluar çdo vendim të planifikuar në Asamblenë e Përgjithshme të Ortakëve, e cila ishte caktuar të mbahej më 20 tetor 2025.

Gjithashtu, sipas vendimit të publikuar nga gazeta ‘Tema’, aeroporti i Vlorës është hipotekuar si garanci financiare kundrejt një marrëveshjeje huaje midis Mabco Constructions S.A. dhe Delphos Securities SARL, për një shumë prej 100 milionë dollarësh, marrë nga Behgjet Pacolli në mars të këtij viti.

Dokumenti tregon një kontratë kredie (Facility Agreement) midis Mabco Constructions S.A. (huamarrës) dhe Delphos Securities SARL, Compartment Bernina (huadhënës), e datës 26 mars 2025, me një shumë totale prej 100 milionë eurosh. Huadhënësi ka vendosur si kusht dorëzimin e dokumenteve ligjore, licencave, marrëveshjeve të koncesionit dhe garancive, si dhe miratimin nga autoritetet shqiptare dhe dorëzimin e pasqyrave financiare të VIA-s.

Për këtë reagoi edhe kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi, i cili deklaroi se në këtë projekt është kaluar çdo kufi i mundshëm i korrupsionit, duke vënë përgjegjës Edi Ramën dhe Belinda Ballukun.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark