Një rast i vjedhjes së rëndë ka tronditur banorët e Shtimes. Policia ka pranuar raport rreth një ngjarjeje që dyshohet të ketë ndodhur në rrugën “14 Dhjetori” gjatë periudhës 22 gusht – 18 tetor 2025.
Sipas raportit të dhënë nga një mashkull kosovar-shqiptar, i cili jeton dhe punon jashtë vendit, në banesën e tij janë lënë mbi 24,000 euro, të cilat më 19 tetor janë konstatuar se mungojnë. Autoritetet theksuan se në vendin e ngjarjes nuk janë gjetur shenja thyerjeje apo dëmtime që tregojnë për hyrje me forcë.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka deklaruar për Insajderin: “Njësiti i hetimeve rajonale është kyçur në rast dhe me autorizim të prokurorit po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e këtij rasti.”
Hetimet vazhdojnë dhe policia fton qytetarët që të japin çdo informacion që mund të ndihmojë në identifikimin e autorëve.