Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar sot një takim pune me kandidatët e kësaj partie që garojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.
Në takim është diskutuar për përgatitjet e intensifikuara të LDK-së për balotazhin dhe për mobilizimin e plotë të strukturave në terren.
Abdixhiku ka vlerësuar entuziazmin dhe energjinë pozitive që, sipas tij, po mbizotëron në çdo komunë ku LDK është në garë, duke theksuar se qytetarët tashmë po e njohin dallimin mes “qeverisjes serioze dhe asaj të gabuar”.
“LDK ka dëshmuar se di të qeverisë me përgjegjësi, ndershmëri dhe rezultate. Kemi sjellë zhvillim, mirëqenie dhe stabilitet në komunat tona, dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë me përkushtim edhe pas 9 nëntorit”, tha Abdixhiku.
Ai shtoi se LDK do të mbetet shembull i qeverisjes lokale që punon për qytetarin, për projekte konkrete, shërbime më të mira dhe zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.
Sipas Abdixhikut, me frymën e unitetit, profesionalizmit dhe përkushtimit të përbashkët, Lidhja Demokratike e Kosovës është e bindur se do të dalë fituese në shumicën e komunave në balotazh.