Insajderi
Lajme

A ka marrëveshje mes PDK-së dhe LDK-së në Suharekë? Ardian Shala jep qëndrimin zyrtar

Insajderi
21 October 2025 - 12:01
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
A ka marrëveshje mes PDK-së dhe LDK-së në Suharekë? Ardian Shala jep qëndrimin zyrtar
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Suharekës, Ardian Shala, ka reaguar pas aludimeve për një koalicion të mundshëm mes subjektit të tij dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në këtë komunë.

Në rrjete sociale dhe media u publikua një fotografi nga një takim mes Sami Lushtakut dhe Blerim Kuqit, që ngjalli dyshime për një marrëveshje të mundshme politike mes dy partive para balotazhit të 9 nëntorit.

Megjithatë, Shala i hodhi poshtë këto pretendime, duke i cilësuar si dezinformata. Ai theksoi se askush nuk është i autorizuar të negociojë në emër të tij.

“Lidhur me pyetjet që kanë qarkulluar së fundmi rreth mundësisë së ndonjë koalicioni me Partinë Demokratike të Kosovës, dëshiroj të sqaroj se në hapësirën publike janë shpërndarë disa dezinformata me qëllim çorientimin e qytetarëve.
Si kryetar i ardhshëm i Komunës së Suharekës, dua të siguroj opinionin publik se askush nuk ka autorizim për negociata apo marrëveshje në emrin tim,”
– ka deklaruar Shala për Gazetën Insajderi.

Ai shtoi se përkushtimi i tij është i plotë ndaj qytetarëve dhe se çdo vendim politik do të jetë transparent dhe institucional.

“Unë do të qeveris me qytetarët dhe me askënd tjetër. Qëllimi im është i vetëm – ta kthejmë komunën e Suharekës në model të qeverisjes së përgjegjshme, të ndershme dhe efikase.
Çdo formë bashkëpunimi do të ndodhë vetëm përmes kanaleve dhe procedurave zyrtare, në transparencë të plotë me qytetarët,”
– shtoi ai.

Takimi që ndezi debatet

Fotografia e Sami Lushtakut dhe Blerim Kuqit, e realizuar në një kafene, ka ngjallur reagime të shumta me komente për një “koalicion të fshehtë” mes PDK-së dhe LDK-së.

Takimi u komentua edhe nga analisti politik Avni Arifi. Në një reagim në Facebook, Arifi e quajti këtë situatë shembull të “tuxharllëkut politik pa parime” që, sipas tij, po ndodh në Suharekë.

“Tuxharllëku për Suharekën – ‘Drenasi Nr. 2’. Në histori nuk njihet ndonjë rast që LDK-ja ta ketë fituar ndonjë komunë në Kosovë në formën siç po tenton ta fitojë Suharekën. LDK-ja i ka fituar komunat tradicionalisht me kuadro të përzgjedhura, me program të mirë, me besim dhe me votë popullore,”
– ka shkruar Arifi.

Zgjedhjet për balotazh në Suharekë do të mbahen më 9 nëntor, ku do të përballen kandidati i LDK-së, Ardian Shala, dhe kryetari aktual nga AAK, Bali Muharremaj.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark