Shaqir Totaj i PDK-së dhe Artan Abrashi i Lëvizjes Vetëvendosje do të përballen sërish më 9 nëntor në balotazhin për komunën e Prizrenit, shkruan Insajderi.
Edhe pse rezultatet e zgjedhjeve të 12 tetorit ende nuk janë certifikuar zyrtarisht nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kandidati i VV-së, Artan Abrashi, tashmë ka zyrtarizuar një marrëveshje bashkëpunimi me Emine Rexhepin. Ai ndërkohë ka konfirmuar se është në bisedime edhe me subjekte të tjera politike.
Në një prononcim për Gazetën Insajderi, Abrashi tha se ka zhvilluar takime me kandidatët e partive të tjera dhe u ka bërë ftesë për bashkëpunim, por deri tani nuk ka diçka konkrete.
“Jemi në kontakt me të gjithë, por ende nuk kam diçka konkrete. Ftesën ua kam dërguar të gjithëve dhe kam mbajtur disa takime, mirëpo nuk kam marrë përgjigje ende. Takimet kanë kaluar shumë mirë, krejt miq i kam këtu në Prizren. Kanë mbetur ta diskutojnë në kryesitë e tyre dhe të marrin një qëndrim,” tha Abrashi për Insajderin.
Nga ana tjetër, kandidati i PDK-së, Shaqir Totaj, i cili ka dalë i pari në zgjedhjet e 12 tetorit, nuk ka kthyer ende përgjigje lidhur me mundësitë e ndonjë marrëveshjeje apo koalicioni paszgjedhor./Gazeta Insajderi/