Komuna e Podujevës, e udhëhequr tash nga Shpejtim Bulliqi i Lëvizjes Vetëvendosje, pas fitores në zgjedhjet lokale, ka anuluar një konkurs që ishte hapur gjatë fushatës së zgjedhjeve të 12 tetorit. Anulimi është arsyetuar me tejkalimin e afateve të procedurave, por pushteti aktual është akuzuar se konkursi ishte hapur për qëllime elektorale. Gazeta Insajderi sjell detajet.
Gazeta Insajderi
Komuna e Podujevës, më 15 shtator 2025, kishte hapur konkurs për plotësimin e disa vendeve të lira të punës.
Pozitat e shpallura kishin qenë për:
Mësimdhënës për lëndën Histori – Edukatë qytetare,
Mësimdhënës/e për lëndën Gjeografi – Edukatë qytetare, dhe
Mësimdhënës për lëndën Informatikë.
Në njoftim ishte theksuar se të tri pozitat ishin zëvendësime, ndërsa koeficienti i pagës ishte 6.1.
Gjithashtu, në konkurs ishin përcaktuar kriteret që duhej t’i plotësonin aplikantët.

Megjithatë, një muaj më vonë, ky konkurs u anulua.
Më 17 tetor, të gjithë kandidatët që kishin aplikuar u njoftuan se konkursi ishte anuluar për shkak të tejkalimit të afateve në zhvillimin e procedurave.
“Sipas kërkesës së DKA-së, njoftohen të gjithë kandidatët që kanë aplikuar në konkursin me nr. prot. 13-111/01-0060170/25, të datës 15.09.2025, se ky konkurs anulohet për arsye të tejkalimit të afateve në zhvillimin e procedurave, sipas Rregullores (QRK) Nr. 19/2024, neni 10, paragrafi 2.5”, thuhet në njoftim.

Lidhur me anulimin e këtij konkursi, ish-kandidati për kryetar të Komunës së Podujevës, Xhemaj Hasani, ka pretenduar se hapja e tij është bërë vetëm për qëllime elektorale gjatë fushatës zgjedhore.
Kjo pasi konkursi ishte anuluar 5 ditë pas ditës së zgjedhjeve.
“Drejtori i Arsimit në Podujevë hapi konkurs më 15 shtator 2025 dhe e anuloi më 17 tetor vetëm dy ditë pas zgjedhjeve”.
Ai tutje ka shkruar se kandidatë që kanë aplikuar u mashtruan duke u përdorur për interesa politike.
“Ky veprim është i papranueshëm dhe tregon qartë se konkursi u përdor si mjet për të mbledhur vota, e jo për të punësuar njerëz në mënyrë të ndershme. kandidatët u mashtruan, duke u përdorur për interesa politike”.
Gazeta Insajderi ka tentuar të marrë një përgjigje nga Komuna e Podujevës në lidhje me këto akuza, mirëpo edhe pas tre ditësh, nuk ka marrë asnjë përgjigje. Insajderi.org