“Phubbing”, ky është termi që përcakton një fenomen shumë të zakonshëm të ditëve të sotme. Pra, zgjedhja e telefonit në vend të partnerit. Ky fenomen e gërryen në heshtje marrëdhënien, duke bërë që njerëzit të ndihen më pak të dashur.
Një studim i ri tregon se kur njëri partner i kushton më shumë vëmendje telefonit sesa personit që ka në krah, tjetri shpesh ndien mungesë përkujdesjeje dhe dashurie. Pikërisht kjo ndjesi e neglizhencës emocionale është ajo që ul kënaqësinë në marrëdhënie, jo vetë përdorimi i telefonit.
Studiuesit ndoqën çifte që jetonin bashkë gjatë pandemisë, një periudhë kur izolimi i zmadhoi edhe zakonet më të vogla.
Ata zbuluan se ndjenja e shpërfilljes për shkak të përdorimit të telefonit nuk ndikonte vetëm tek njëri person, por përhapej, duke ulur ndjenjën e afërsisë për të dy partnerët. Edhe kur të dy përfshiheshin njësoj në “phubbing”, efektet negative vazhdonin. Sjellja e përbashkët nuk e zbutte ndjesinë e mungesës së vëmendjes. Mesazhi është i qartë: telefonat krijojnë një distancë të padukshme. Vendosja e kufijve dhe krijimi i momenteve të qëllimshme për afeksion mund t’i ndihmojë çiftet të qëndrojnë të lidhur në një botë të mbushur me ekrane.