Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazuar kërkesëpadinë e organizatës “Rrjeti i Femrave për Zhvillim Profesional – Arrita”, e cila kishte paditur Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI). Organizata kishte kërkuar që të shpallej i paligjshëm dhe të shfuqizohej neni 3, paragrafi 1, nënparagrafi 1.13 i Udhëzimit Administrativ Nr. 06/2014, që përcakton Kodit e Mirësjelljes dhe Masat Disiplinore për Nxënësit e Shkollave të Mesme të Larta.
Sipas padisë, udhëzimi administrativ, si akt nënligjor, tejkalon kompetencat ligjore të ministrisë, pasi ndalon ushtrimin e të drejtave kushtetuese të vajzave që mbajnë shami. Organizata kishte theksuar se, në përputhje me nenin 55 të Kushtetutës, kufizimi i lirive dhe të drejtave themelore mund të bëhet vetëm me ligj, jo me udhëzime administrative.
“Gjatë katër viteve të fundit kemi pranuar ankesa të shumta nga vajza që janë përjashtuar ose pezulluar nga shkollat publike për shkak të mbulesës së kokës”, thuhet ndër të tjera në parashtresën e saj.
Mirëpo, Gjykata Supreme konstatoi se dispozitat e përmendura në udhëzimin administrativ janë në përputhje me ligjet në fuqi, përkatësisht Ligjin për Arsimin Parauniversitar (nr. 04/L-032) dhe Ligjin për Arsimin dhe Aftësimin Profesional (nr. 04/L-138).
Sipas arsyetimit të gjykatës, këto ligje i japin ministrisë kompetenca të qarta për të përcaktuar rregulla të sjelljes dhe uniformës së nxënësve, përfshirë edhe kufizimet që ndalojnë përdorimin e veshjeve me karakter fetar në institucionet arsimore publike.
“Si i tillë, akti nënligjor nuk bie ndesh me ligjin dhe nuk mund të shfuqizohet”, thuhet në vendim.
Në arsyetimin e saj, Gjykata Supreme është fokusuar në nenin 55 të Kushtetutës, që lidhet me kufizimin e lirisë së besimit dhe fesë. Duke iu referuar praktikës së Gjykatës Kushtetuese të Kosovës (aktvendimi nr. KI 36/11, datë 30 shtator 2011) dhe Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), ajo ka rikujtuar se liria fetare është një çështje e ndërgjegjes individuale, por manifestimi i saj mund të kufizohet në rrethana të caktuara, për të garantuar harmoninë shoqërore dhe neutralitetin e shtetit.
“Në një shoqëri demokratike, ku bashkëjetojnë fe të ndryshme, shteti ka të drejtë të vendosë rregulla për të ruajtur tolerancën dhe respektin për të gjitha besimet,” thuhet në vendim. Po ashtu, gjykata vë në pah se praktikat lidhur me bartjen e simboleve fetare në shkolla ndryshojnë nga vendi në vend, varësisht nga traditat dhe sistemi ligjor.
Në përfundim, Gjykata Supreme thekson se ligjvënësi, në mënyrë të tërthortë por të qartë, ka përcaktuar kufizime të pranueshme lidhur me veshjen e nxënësve, duke ia lënë MASHTI-t kompetencën për t’i rregulluar ato përmes akteve nënligjore. /Insajderi.org/