Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë ekskluzive për revistën prestigjioze të arkitekturës “Dezeen”, ka folur për rëndësinë që i jep arkitekturës dhe për vizionin e tij për zhvillimin urban të vendit.
Rama tha se për një vend si Shqipëria, arkitektura e mirë është “një prani frymëzuese dhe burim energjie për shoqërinë”. Ai u shpreh se dëshiron që arkitektët ndërkombëtarë të krijojnë ndërtesa që lidhen me identitetin dhe territorin shqiptar.
“Kemi universitetin më të madh të arkitekturës në natyrë, sepse arkitektët e rinj shqiptarë mësojnë duke punuar me më të mirët”, tha ai.
“Nuk duam arkitekturë gjenerike apo globale. Duam ndërtesa që na përkasin neve dhe botës. Duam një histori dashurie mes arkitektëve dhe Shqipërisë”, tha Rama.
Në intervistë, kreu i qeverisë shqiptare foli edhe për transformimin urban të Tiranës dhe ndikimin që arkitektura mund të ketë në jetën publike. Ai kujtoi periudhën kur ishte kryetar bashkie, duke theksuar se “arkitektura e mirë mund të ndryshojë drejtimin e një qyteti dhe mënyrën se si mendojmë për të ardhmen”.
Rama përmendi bashkëpunimet me studio të njohura ndërkombëtare si MVRDV, BIG, OMA dhe “Ricardo Bofill Taller de Arquitectura”, duke theksuar se projekti urban në Tiranë nuk synon të kopjojë modele të huaja.
“Tirana nuk është Dubai i ri. Tirana është Tirana”, u shpreh ai.
Kryeministri shqiptar gjithashtu kritikoi perceptimet ndërkombëtare që lidhin zhvillimin urban me dyshime për korrupsion apo pastrim parash, duke i cilësuar ato si “budallallëqe mediatike”.
Sipas Ramës, numri i madh i arkitektëve të huaj që punojnë në Shqipëri është një mundësi unike për brezin e ri të arkitektëve vendas.