Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se partia e tij ka nëntë gara për t’i bërë në balotazh.
Abdixhiku me ironi falënderoi të gjithë eksponentët e Vetëvendosjes dhe kundërshtarët ideologjikë, të cilët kanë treguar se çka dëshiron elektorati i LDK-së kur komentojnë koalicionet e partisë në nivel lokal.
Më pas në thonjza tha se “e kanë për të mirën e LDK-së”.
“Kur do ta kuptojnë? ‘Kundërshtimet e juaja s’na lënë përshtypje; kemi parë se çfarë duartrokisni!’ I falënderojmë të gjithë eksponentët e Vetëvendosjes dhe kundërshtarët tanë ideologjikë, që këto ditë po na tregojnë se si duhet të udhëhiqet LDK-ja, çka dëshiron elektorati ynë dhe si duhet të jetë e ardhmja jonë si parti. Jemi të bindur se e kanë për “të mirën tonë”. Por të na mirëkuptojnë e falin për mungesën e përgjigjeve ndaj brengave të tyre. Jemi bukur të zënë. Sepse momentalisht i kemi 9 gara për t’i bërë. Të dielen duam veç fitore; dhe na besoni, do të fitojmë”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.