Insajderi
Lajme

Përballja Rama–Çeku në “Pressing”, Hekuran Murati përfshihet në debat nga shtëpia me tre postime

Insajderi
03 November 2025 - 23:34
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Përballja Rama–Çeku në “Pressing”, Hekuran Murati përfshihet në debat nga shtëpia me tre postime
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Në emisionin “Pressing” të T7 është zhvilluar debati për Prishtinën mes kandidatëve për kryetar, Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Hajrullah Çeku nga Lëvizja Vetëvendosje, të cilët përballen në balotazh.

Gjatë debatit, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka bërë tre postime në rrjetin social Facebook, duke reaguar ndaj deklaratave të Përparim Ramës.

Murati akuzoi Ramën se po “gënjen publikisht” për çështjen e buxhetit të Komunës së Prishtinës.

“Përparim Rama po gënjen publikisht për buxhetin e komunës. Këtë çështje e kam sqaruar tash e disa herë. Ja shkresa me të cilën Qeveria ia ka përcjellë Kuvendit materialin e buxhetit të komunës që në janar të këtij viti. Pse LDK nuk po dëshiron ta votojë buxhetin e Prishtinës tash që Kuvendi është konstituuar?”, shkroi Murati në postimin e parë.

Në postimin e dytë, Murati e quajti Ramën “dështak”, duke e akuzuar për mosrealizimin e projekteve të transportit publik.

“Po tregon si e ka transformuar transportin publik, ama s’ka qenë në gjendje asnjë autobus të ri me sjellë për katër vjet, ani pse ka pasur 10 milionë euro financim të siguruar qe tri vjet. Kush e bllokoi dështakun për me i sjellë autobusët?”, shkroi ai.

Në postimin e tretë, ministri iu referua raportit 9-mujor të shpenzimeve për vitin 2025, duke thënë se të dhënat zyrtare tregojnë se Komuna e Prishtinës ka shpenzuar miliona euro, pavarësisht pretendimeve për bllokim.

“Ja raporti 9-mujor i shpenzimeve në vitin 2025, i cili është publik në faqen e MFPT-së. Prishtina deri në fund të muajit shtator ka të shpenzuara 77.6 milionë euro, nga gjithsej 125.4 milionë euro sa ka buxhet (sipas buxhetit të vitit 2024, sepse buxhetin e vitit 2025 nuk e ka të miratuar). Si u bë që Komuna e Prishtinës i paska shpenzuar 77.6 milionë euro nëse paska qenë e bllokuar? Dështimi për t’i respektuar afatet ligjore për miratim të buxhetit dhe dembelia në punë nuk mund të mbulohen me gënjeshtrën e bllokadës”, ka shkruar Murati.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark