Dogana e Kosovës ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme të produkteve Botox dhe Maspoert, të dyshuara si të kontrabanduara dhe të falsifikuara, me origjinë nga Irani.
Gazeta Insajderi raportoi para pesë ditësh lidhur me një rast, ku dyshohet të jetë i përfshirë doktori Hajrullah Binakaj lidhur kontrabandimin me filler dhe botox.
Përgjatë ditës së sotme, Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë një aksioni në magjistralen Prishtinë – Ferizaj, kanë arritur të identifikojnë dhe ndalojnë një veturë të dyshimtë që përdorej për shpërndarjen e paligjshme të mallrave të kontrabanduara.
“Gjatë kontrollit të automjetit, oficerët doganorë kanë gjetur rreth 100 paketime të produkteve Botox dhe Filler, pa origjinë dhe pa dokumentacion përcjellës, me vlerë të përgjithshme prej 9,479.49 euro. Hetimet e para tregojnë se këto produkte janë futur në Kosovë përmes rrugëve ilegale, duke shmangur kontrollin doganor dhe pa respektuar kushtet e ruajtjes që kërkohen për produktet e këtij lloji”, thuhet në njoftim.
“Dogana e Kosovës do të vazhdojë me procedurat hetimore në bashkëpunim me institucionet përkatëse dhe apelon te qytetarët që të shmangin blerjen e produkteve të tilla të pasigurta dhe të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë që lidhet me kontrabandën dhe tregtinë ilegale”, vijon njoftimi.
Siç kishte raportuar Gazeta Insajderi, Binakaj ishte shoqëruar për intervistim nga Policia e Kosovës, i cili dyshohet se ka qenë i përfshirë në transportimin dhe shpërndarjen e produkteve të sekuestruara.
Ai ka qenë më parë i akuzuar për trajtime të papërgjegjshme mjekësore në cilësinë e mjekut internist në spitalin privat “Heart” në Gjakovë, ku sipas aktakuzës përdorimi i metodave të papërshtatshme mjekësore kishte çuar në përkeqësimin e gjendjes së një pacienteje.
Prokuroria kishte kërkuar ekspertizë mjeko‑ligjore, ndërsa Binakaj kishte deklaruar pafajësinë e tij.
Produktet e sekuestruara janë dërguar për analiza laboratorike, ndërsa hetimet po zhvillohen në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera relevante.
Autoritetet theksojnë se të gjithë personat e përfshirë mbeten të dyshuar deri në përfundimin e hetimeve dhe marrjes së vendimeve ligjore përfundimtare. /Insajderi.org/