Insajderi
Lajme

Avokati Bajraktari: Procesi në Hagë është i stërzgjatur dhe me shkelje të shumta

Insajderi
05 November 2025 - 11:24
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Avokati Bajraktari: Procesi në Hagë është i stërzgjatur dhe me shkelje të shumta
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Avokati Ardian Bajraktari ka reaguar lidhur me procesin gjyqësor që po zhvillohet në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar atë si të stërzgjatur dhe me shkelje të parimeve themelore të drejtësisë.

Në një postim në rrjete sociale, Bajraktari ka theksuar se proceset gjyqësore që zgjasin për vite të tëra janë apriori të padrejta, pasi shkelin parimin e gjykimit “brenda një afati të arsyeshëm”, të garantuar nga Kushtetuta e Kosovës dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Kur përveç cenimit të këtij parimi, procesi karakterizohet edhe me mungesë transparence dhe me prova të pranuara nga një regjim gjenocidal, atëherë kemi të bëjmë me një proces gjyqësor shumë të padrejtë dhe me shkelje të shumta”, ka shkruar ai.

Bajraktari ka përmendur se edhe sipas praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, arsyeshmëria e kohëzgjatjes së një procedure vlerësohet duke marrë parasysh ndërlikueshmërinë e rastit, sjelljen e palëve dhe autoriteteve, si dhe rëndësinë e çështjes për palët në proces.

Sipas tij, sjellja e ish-krerëve të UÇK-së ka qenë korrekte, ndërsa stërzgjatjes së procesit i ka kontribuar qasja e prokurorisë, e cila, siç thotë ai, “ka hyrë në proces pa qenë e përgatitur” dhe shpesh ka dorëzuar materiale në momentet e fundit.

“Nga nëntori i vitit 2020 deri në prill të vitit 2023 janë mbajtur vetëm seanca statusore, ndërsa procesi gjyqësor ka nisur realisht në prill të vitit 2023”, ka theksuar avokati.

Ai ka shtuar se deri më tani, prokuroria nuk ka arritur të argumentojë bindshëm tezat për të ashtuquajturën “Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale”, ndërsa mbrojtja ka paraqitur dëshmi e dëshmitarë që kanë kundërshtuar me sukses këto pretendime.

Në fund, Bajraktari ka vlerësuar se ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe Rexhep Selimi e të tjerë, po e përballojnë këtë proces në mënyrë dinjitoze, duke kontribuar në “ri konfirmimin e pastërtisë së luftës çlirimtare”.

“Proces i stërzgjatur dhe sfidues, por fundin e tij e presim të jetë triumfues”, ka përfunduar Bajraktari.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark