OJQ “AVONET” nga Ferizaj do të përballet nesër në Gjykatën Themelore të Prishtinës me përfaqësuesit e Qeverisë së Republikës së Kosovës, në kuadër të një padie të ngritur ndaj institucioneve shtetërore.
Sipas ftesës zyrtare të lëshuar nga Departamenti për Çështje Administrative i Gjykatës Themelore në Prishtinë, seanca do të mbahet më 07 nëntor 2025, në ora 09:00, në dhomën A-108/K të kësaj gjykate.
Padia është ngritur nga AVONET ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës, ndërsa lënda lidhet me çështje që kanë të bëjnë me masë e siguri.
Çka po kërkon AVONET?
Rrjeti i Organizatave Joqeveritare AVONET ka dorëzuar një padi ndaj Qeverisë në detyrë të Republikës së Kosovës, duke kërkuar anulimin e vendimit për miratimin e projektligjit mbi ndarjet buxhetore për vitin 2026, si dhe vendosjen e një mase të përkohshme sigurie për pezullimin e ekzekutimit të këtij vendimi.
Drejtori ekzekutiv i AVONET, Kenan Gashi, tha se veprimi është ndërmarrë për të mbrojtur rendin kushtetues dhe parimin e ndarjes së pushteteve.
Ai shtoi se Qeveria në detyrë ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, duke tejkaluar kompetencat e saj administrative.
Sipas analizës ligjore të AVONET, miratimi i projektligjit për ndarjet buxhetore është një akt me karakter administrativ dhe politik që nuk mund të kryhet nga një qeveri në detyrë. Gashi shtoi se disa ministra dhe Kryeministri tashmë ushtronin funksionin e deputetit, gjë që cenon parimin e ndarjes së pushteteve dhe ndalimin e ushtrimit të dy funksioneve publike njëkohësisht.
Qëllimi i padisë është garantimi i shtetit të së drejtës dhe respektimi i rendit kushtetues. AVONET kërkon nga Gjykata që të anuloj vendimin e Qeverisë në detyrë si të paligjshëm dhe antikushtetues dhe të pezullojë efektet e tij deri në vendimin përfundimtar, duke siguruar që proceset buxhetore të zhvillohen në përputhje me mandatet legjitime dhe parimet demokratike të Republikës së Kosovës.
/Insajderi