Kandidati për kryetar të Gjilanit nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Hyseni, ka marrë pjesë sot, bashkë me kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, në përurimin e dronit “Skifter”, të prodhuar nga kompania inovative “Future Minds Academy”.
“Sot ishte kënaqësi e veçantë që bashkë me Kryeministrin Albin Kurti të marrim pjesë në përurimin e dronit ‘Skifter’,” ka shkruar Hyseni.
Ai e ka cilësuar këtë projekt si “një shembull shumë frymëzues” që, sipas tij, “dëshmon që të rinjtë gjilanas janë kreativë dhe me vizion të qartë”.
Hyseni ka bërë të ditur se bashkë me Kurtin kanë takuar edhe afaristë dhe inxhinierë lokalë.
“Diskutuam për projektet që do ta transformojnë qytetin edhe në mandatin që po e konfirmojmë nesër,” ka theksuar ai.