Insajderi
Lajme

Bali Muharremaj kërcënoi Insajderin me padi, pas pesë dite i ngritët aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të tij

Insajderi
13 November 2025 - 13:58
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Bali Muharremaj kërcënoi Insajderin me padi, pas pesë dite i ngritët aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të tij
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të Komunës së Suharekës, Lorika Gashi dhe Ahmet Emrullahu, të cilët dyshohen për keqpërdorim të mbi 41 mijë eurove përmes një projekti për ndërtimin e lapidarëve në tri fshatra të kësaj komune.

Vetëm pesë ditë më parë, kryetari i Suharekës Bali Muharremaj kishte kërcënuar me padi për shpifje Gazetën Insajderi, e cila kishte raportuar për dyshime në keqpërdorime me ndërtimin e lapidarit në fshatin Vraniq.

Më 9 nëntor, përmes një postimi në Facebook, Muharremaj kishte shkruar se do ta padiste Insajderin për shpifje e lajme të rreme, duke paralajmëruar se “do të ballafaqohet në gjykatë pas zgjedhjeve”.

“Të gjitha kërcënimet, shpifjet, lajmet e rreme të cilat po bëhen ndaj meje dhe familjes time, do të kalojnë nëpër organet e drejtësisë dhe faktet do të ballafaqohen në gjykatë pas zgjedhjeve”, kishte shkruar kryetari Bali Muharremaj.

Por në gjykatë nuk do të shkojë Insajderi, por zyrtarët e tij. Tashmë zyrtarisht ndaj tyre është ngritur aktakuzë për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, në lidhje me projektin e ndërtimit të lapidarëve në fshatrat Studenqan, Vraniq dhe Dubravë.

Sipas aktakuzës, që nga 20 tetori 2023 e në vazhdim, të pandehurit, duke shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare, kanë tejkaluar kompetencat dhe nuk kanë përmbushur detyrat ligjore gjatë zbatimit të projektit.

Ahmet Emrullahu, në cilësinë e menaxherit të kontratës, ka urdhëruar ndryshime në projekt pa miratimin e zyrës së prokurimit dhe të autoritetit kontraktues, ndërsa Lorika Gashi, si mbikëqyrëse e punimeve, ka pranuar dhe nënshkruar dokumente me të dhëna të pavërteta, duke mundësuar pagesa për punime që nuk janë realizuar.

Sipas Prokurorisë, këto veprime i kanë shkaktuar dëm financiar buxhetit të Komunës së Suharekës në shumën prej rreth 41 mijë eurosh. /Gazeta Insajderi/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark