Insajderi
Lajme

Përplasja në RTK, Rilind Gërvalla e denoncon në Polici Hysen Hundozin: S’ka më kompetencë si drejtor i përgjithshëm

Insajderi
13 November 2025 - 21:52
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Përplasja në RTK, Rilind Gërvalla e denoncon në Polici Hysen Hundozin: S’ka më kompetencë si drejtor i përgjithshëm
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Situata në Radiotelevizionin e Kosovës vazhdon të mbetet e tensionuar, pas përplasjes mes drejtorit të televizionit, Rilind Gërvalla, dhe ish-ushtruesit të detyrës së drejtorit të përgjithshëm, Hysen Hundozi.

Gërvalla insiston se Hundozi nuk ka më kompetencë për të ushtruar këtë detyrë, pasi mandati i tij gjashtëmujor ka përfunduar më 31 tetor 2025. Përveç kërkesave zyrtare që ia ka dërguar me email, Gërvalla ka bërë edhe denoncim në Policinë e Kosovës, për të njoftuar se Hundozi po vazhdon të qëndrojë në zyrë pa mandat ligjor.

“Unë e kam bërë denoncimin përmes email-it dhe nuk kam informacion të mëtejshëm. Askush nuk më ka kthyer përgjigje. Kjo u bë për të njoftuar rastin, pasi përgjegjësia ime është vetëm për veturat, objektin dhe programin; për çështjet financiare përgjegjës janë drejtoritë përkatëse, jo unë,” – ka konfirmuar Gërvalla për Gazetën Online Reporteri.net.

Pas denoncimit, Policia e Kosovës raportohet se ka kërkuar disa dokumente dhe informacione lidhur me legjitimitetin e Hundozit si udhëheqës i përkohshëm i RTK-së. Megjithatë, menaxhmenti dhe bordi i RTK-së ende nuk kanë arritur një qëndrim të unifikuar se kush do t’i përgjigjet hetuesisë.

Ndërkohë, disa media raportuan se Policia ka shkuar fizikisht në RTK për të marrë dokumentacionin, por këtë e ka mohuar Gërvalla:

“Nuk besoj që kanë qenë aty. Askush nuk më ka informuar që ka ardhur policia dhe askush nuk më ka raportuar zyrtarisht,” – tha ai.

Po ashtu, edhe vetë Hysen Hundozi ka mohuar se është kontaktuar apo shoqëruar nga Policia:

“Në zyrën time nuk ka ardhur policia dhe as nuk më kanë kontaktuar. Për televizionin nuk mund ta konfirmoj; për mua personalisht nuk ka asgjë nga ajo që është raportuar,” – deklaroi Hundozi për Reporteri.net.

Gazeta ka kontaktuar edhe Bordin e RTK-së për të sqaruar statusin e mandatit të Hundozit dhe nëse është caktuar ndonjë pasues, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje.

Përplasja mes Gërvallës dhe Hundozit ka dalë në pah pas komunikimeve zyrtare me email, ku Gërvalla i kërkoi Hundozit të lirojë zyrën e drejtorit të përgjithshëm, duke argumentuar se mandati i tij ka skaduar dhe se bordi nuk ka marrë ndonjë vendim të ri për vazhdimin e tij.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark