Insajderi
Op-Ed

Ndikimi i fesë në legjislacionin dhe sistemet juridike bashkëkohore

Insajderi
14 November 2025 - 19:22
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Ndikimi i fesë në legjislacionin dhe sistemet juridike bashkëkohore
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Autor: Zyhdi Hajzeri – Jurist

Feja ka qenë dhe mbetet një nga shtresat më të rëndësishme në formësimin e ndërgjegjes juridike të shoqërive.

Edhe kur një shtet adopton sisteme të avancuara ligjore dhe përpiqet të ruajë neutralitetin ndërmjet besimeve, ndikimi i trashëgimisë fetare mbetet i pranishëm në mënyrë të pashmangshme. Kjo sepse njeriu që harton ligjin, organi që e zbaton dhe komuniteti që i nënshtrohet atij ligji funksionojnë mbi një bazë vlerash dhe normash morale të rrënjosura historikisht në mësimet fetare.

Gjatë zhvillimit historik të së drejtës, legjislacionet e para të njohura u ndërtuan mbi rregulla fetare. Kodi i Hamurabit, të drejtën romake në fazat e hershme, normat e traditës hebraike, tekstet e Dharmas në Indi, si dhe jurisprudenca islame, përbëjnë dëshmi të qarta të këtij ndikimi. Edhe pse shtetet moderne kanë zhvilluar sisteme të sofistikuara juridike, ky ndikim nuk është zhdukur, por është shndërruar në një bazament etik që ndikon në konceptet qendrore juridike si drejtësia, përgjegjësia, barazia dhe sanksionimi.

Në vendet ku feja, sidomos ajo islame, përbën burim primar të normimit juridik, ndikimi është i drejtpërdrejtë dhe i dukshëm. Arabia Saudite përfaqëson modelin më të pastër të këtij koncepti, ku sheriati nuk është vetëm burim i ligjit, por struktura kryesore e sistemit juridik. Në këtë model, çështjet e së drejtës familjare, të së drejtës penale dhe të transaksioneve ekonomike mbështeten plotësisht në parime fetare. Irani paraqet një model të përzier midis së drejtës sheriatike dhe kodifikimeve moderne, ku jurisprudenca xhaferite është integruar me legjislacionin civil, duke krijuar një sistem juridik që i përgjigjet njëkohësisht traditës dhe strukturës së shtetit bashkëkohor. Modele të ndërmjetme gjenden në Egjipt, Jordaninë, Marok dhe Tunizi.

Edhe pse këto shtete kanë kodifikime të ndikuara nga e drejta kontinentale evropiane, sidomos nga modeli francez, parimet fetare mbeten burim i rëndësishëm, veçanërisht në fushën e së drejtës familjare dhe të statusit personal. Tunizia, për shembull, ka ndërmarrë reforma të thella, duke përfshirë ndalimin e poligamisë, i cili mbështetet në interpretim bashkëkohor të dispozitave fetare për të realizuar interesin publik. Edhe në shtetet evropiane që e kanë të sanksionuar laicitetin, ndikimi i traditës së krishterë është i dallueshëm. Mbretëria e Bashkuar e ka të institucionalizuar Kishën Anglikane dhe pjesëmarrjen e peshkopëve në trupat ligjvënës. Ndërkohë në Francë, ku laiciteti është i fortë, shumë prej koncepteve të së drejtës familjare, si edhe nocione të etikës publike dhe dinjitetit njerëzor, mbajnë gjurmë të mendimit të krishterë të shekujve të kaluar.

Gjermania i jep peshë të veçantë “dinjitetit të njeriut” në sistemin e saj kushtetues; një koncept që buron nga ndikimi filozofik dhe moral i traditës kristiane protestante. Në vendet e Azisë Lindore, feja nuk paraqitet në formë normative të drejtpërdrejtë, por ndikimi i filozofive dhe etikave fetare është i dukshëm në kulturën juridike. Japonia është shembulli më tipik, ku konceptet e përgjegjësisë, nderit, pajtimit dhe apologjisë publike janë të lidhura fort me etikën shintoiste dhe traditën konfuciane. Këto vlera ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve dhe në interpretimin e raporteve juridike. Ndikimi i fesë është i dukshëm edhe në rregullimin e pozitës së gruas. Në shumë vende me traditë islame, tekstet fetare ofrojnë mbrojtje të qartë në fushat e të drejtave pasurore, obligimeve familjare dhe integritetit personal.

Megjithatë, interpretimet tradicionale kanë krijuar kufizime në disa raste, çka ka shtyrë disa shtete të ndërmarrin reformime për harmonizimin e normave fetare me standardet bashkëkohore dhe realitetin shoqëror. Në Evropë, ndryshimet në statusin juridik të gruas lidhen me reforma të gjera shoqërore dhe juridike, ku me gjithë këtë, trashëgimia fetare ka luajtur një rol të konsiderueshëm në themelimin e parimeve të barazisë. Një fushë tjetër ku feja paraqet ndikim është ajo e së drejtës penale. Jurisprudenca islame, për shembull, ka një qasje që synon korrigjimin dhe pajtimin, duke parashikuar mekanizma si falja dhe dëmshpërblimi, ndërkohë që vendos kritere të rrepta për aplikimin e sanksioneve më të rënda. Edhe në Evropë, e drejta penale moderne është zhvilluar duke kaluar nga konceptimi fetar i fajit dhe pendesës, drejt një sistemi rehabilitues e parandalues.

Në fushën e të drejtave të njeriut, nocione si dinjiteti, shenjtëria e jetës, liria e besimit dhe e ndërgjegjes, kanë të gjitha rrënjë të thella në doktrinat fetare, përpara se të kodifikoheshin në instrumentet ndërkombëtare. Kjo tregon se e drejta pozitive, pavarësisht se synon neutralitetin, mbështetet në një traditë morale që vjen nga feja. Sot, në shoqëri gjithnjë e më plurale dhe të globalizuara, raporti midis fesë dhe së drejtës paraqet sfida të reja.

Shtetet përballen me nevojën për të balancuar respektimin e të drejtave fetare, ruajtjen e vlerave etike të trashëguara dhe garantimin e neutralitetit ligjor. Disa shtete kanë arritur të krijojnë një ekuilibër funksional, ndërsa të tjera përballen me tensione ndërmjet normave fetare, kulturës shoqërore dhe kërkesave të modernizimit. Andaj, feja mbetet një element i pandarë i së drejtës, jo vetëm në vendet me legjislacion fetar, por edhe në shtetet që e shpallin veten laike. Ndikimi i saj shfaqet në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, përmes kulturës juridike, parimeve të moralit publik dhe standardeve të përgjithshme mbi drejtësinë. Marrëdhënia midis fesë dhe së drejtës nuk duhet parë si raport konfliktual, por si ndërveprim i natyrshëm që ndihmon në ndërtimin e një koncepti të qëndrueshëm të drejtësisë dhe harmonisë shoqërore.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark