Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka përgëzuar Kombëtaren e Kosovës dhe atë të Shqipërisë për sigurimin e Playoff-it të Kupës së Botës, duke i quajtur këto arritje momente historike për futbollin shqiptar.
Në reagimin e tij në Facebook, Ahmeti theksoi rolin vendimtar të “dy Asllanave” që, sipas tij, shtynë përpara të dyja përfaqësueset drejt ëndrrës së Botërorit.
“Dy Asllanat, si dy krahët e shqiponjës: pardje Kristijani, e sonte Fesniku siguruan balotazhin historik për Shqipërinë dhe Kosovën për kampionatin botëror në futboll. Urime, shqipe, ju lumtë, djem!”, ka shkruar Ahmeti.
Në ndeshjen me Andorrën, Shqipërisë fitoren ia siguroi goli i vetëm dhe vendimtar i Kristjan Asllanit. Ndërsa Fisnik Asllani kaloi Dardanët në avantazh në minutën e gjashtë për 0-1, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.
Më pas, Zan Karnicik thelloi vështirësitë e Sllovenisë duke shënuar një autogol të pazakontë në minutën e 64-të.