Insajderi
Hulumtime/Analiza

Dyshime për manipulime në Federatën e Taekwondo-së – kërkohet hetim dhe anulim i Kuvendit të Punës

Insajderi
20 November 2025 - 16:18
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Dyshime për manipulime në Federatën e Taekwondo-së – kërkohet hetim dhe anulim i Kuvendit të Punës
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Federata e Taekwondo-së së Kosovës po përballet me akuza serioze për manipulime dhe shkelje të rënda procedurale, të cilat sipas disa klubeve anëtare kanë çuar në kërkesën zyrtare për hetim dhe anulim të Kuvendit të Punës. Dy përfaqësues të klubeve, të mbështetur nga tetë klube të licencuara, kanë dorëzuar në MKRS dhe institucionet tjera relevante dy dokumente ku argumentohen pretendimet për veprime joligjore brenda federatës dhe mbajtje të kuvendeve jashtëligjshëm.

Dy anëtarë të Komisionit të Klubeve, Arben Gashi dhe Nuhi Gashi, i janë drejtuar MKRS-së, KOK-ut dhe klubeve të federatës me dy ankesa të ndara, ku kërkojnë pezullimin dhe anulimin e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të thirrur për datën 12 nëntor 2025, duke e cilësuar atë si “të paligjshëm dhe të pavlefshëm”.

Gazeta Insajderi ka siguruar dokumentet e plota dhe kërkesat e tyre, si dhe ka kërkuar një sqarim zyrtar nga FTWK, por Federata nuk ka kthyer asnjë përgjigje.

Nuhi Gashi, përfaqësues i Akademisë së Arteve Marciale Prishtina dhe anëtar i Komisionit të Klubeve të miratuar nga MKRS, ka refuzuar pjesëmarrjen në Kuvendin e 12 nëntorit duke argumentuar se ftesa është: pa bazë ligjore, në kundërshtim me Statutin e FTWK-së, në kundërshtim me komunikimin zyrtar të MKRS datë 27.03.2025.

Në dokument, Gashi përmend se MKRS ka konstatuar qartë se Kuvendi i 31.01.2025 ka qenë i pavlefshëm, dhe se Kuvendet e 8 dhe 12 nëntorit po tentojnë të vazhdojnë pikërisht këtë proces të pavlefshëm.

“Kuvendi i 08.11.2025 është zhvilluar vetëm me 10 delegatë, ani pse MKRS kërkon minimalisht 15. Ftesa është firmosur nga persona pa mandat (Arsim Agushi dhe Rilinda Gjonbalaj). Klubet e licencuara nuk janë ftuar, përfshirë AAM Prishtina. Procesverbali i Kuvendit të punës konsiderohet i manipuluar – nuk përmban as orën e fillimit, as të përfundimit. Klubi i Kaçanikut, sipas dokumentacionit, nuk ishte fare i pranishëm, edhe pse figuron në procesverbal. Ftesa për Kuvendin e Jashtëzakonshëm nuk përmban listën e klubeve me të drejtë vote dhe përfshin edhe “klube që nuk ekzistojnë në terren”, thuhet në ankesën që ka adresuar Gashi.

Gashi kërkon pezullimin e menjëhershëm të Kuvendit, anulimin e procesit të 8 nëntorit, ndalimin e shpërndarjes së buxhetit të FTËK prej 160,000 euro, si dhe njohjen e Komisionit të Klubeve si organi i vetëm që mund të thërrasë një kuvend të ligjshëm.

Ankesë të veçantë ka dorëzuar edhe Arben Gashi, Kryetar i Klubit “Dardanet” dhe anëtar i Komisionit të Klubeve të FTËK. Ai, në koordinim me tetë klube të licencuara dhe anëtarët e Komisionit të miratuar nga MKRS, ka dorëzuar dy dokumente përmes së cilave kërkon anulimin e Kuvendit dhe nisjen e hetimeve.

Gazeta Insajderi i është drejtuar Federatës së Taekwondo-së së Kosovës për një reagim zyrtar lidhur me këto dy ankesa dhe pretendimet për shkelje të rënda administrative. Por, deri në publikimi e shkrimit nuk kanë kthyer përgjigje./Gazeta Insajderi/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark