Sot, në ambientet e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri, u mbajt ceremonia e certifikimit të 15 operatorëve të rinj të Drejtorisë për Mbrojtje të Afërt.
Sipas njoftimit zyrtar, operatorët kanë kaluar një trajnim intensiv dhe shumë sfidues, i cili ka përfshirë kombinimin e pjesës teorike dhe asaj praktike, përfshirë ushtrime taktike në terren në periudha të ndryshme të ditës. Në total janë realizuar 680 orë trajnimi, gjatë të cilave janë testuar shkathtësitë fizike, taktikat mbrojtëse dhe artet marciale, gjuajtja me armë të kalibrave të ndryshëm, orientimi në natyrë, lëshimi me litar, mbijetesa në ujë, vozitja taktike dhe shumë elemente të tjera esenciale për këtë profil.
Operatorëve të certifikuar iu ndanë certifikatat përkatëse nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, së bashku me drejtorët e departamenteve përkatëse dhe ushtruesin e detyrës së drejtorit të përgjithshëm të AKSP-së, z. Shpend Shabani. Drejtori Hoxha i uroi të certifikuarit për suksesin e arritur, duke kërkuar prej tyre disiplinë dhe përkushtim në realizimin e detyrave që i presin.
Gjatë ceremonisë, të pranishmit patën mundësinë të shohin edhe disa skenarë të ushtrimeve praktike që demonstruan teknikat e mbrojtjes së personaliteteve.