Insajderi
Lajme

BE-ja kritikon shkarkimin e Kryeprokurorit të Shtetit: Vendimi minon progresin e Kosovës drejt Unionit

Insajderi
20 November 2025 - 18:10
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
BE-ja kritikon shkarkimin e Kryeprokurorit të Shtetit: Vendimi minon progresin e Kosovës drejt Unionit
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës kanë shkarkuar sot Kryeprokurorin e Shtetit në detyrë, Besim Kelmendi, gjatë një mbledhjeje të mbajtur paraditen e sotme.

Për këtë vendim ka reaguar edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, e cila tha se veprimi i sotëm pengon reformën e nevojshme në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK).

“Shkarkimi i sotëm i Kryeprokurorit të Shtetit në detyrë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës pengon reformën e vazhdueshme dhe të nevojshme të KPK-së dhe shpërfill parimet e sundimit të ligjit dhe detyrën ndaj qytetarëve”, tha Zyra e BE-së.

Sipas BE-së, shkarkimi i ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit “minon progresin e Kosovës në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian”.

Vendimin e ka kritikuar edhe Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), i cili e ka cilësuar atë si “paligjshëm, arbitrar dhe abuziv”, duke shtuar se një pjesë e anëtarëve të KPK-së kanë vepruar në mungesë të kuorumit për vendimmarrje.

“Kjo mënyrë e veprimit, përveç se e kundërligjshme, është haptazi kapje e institucionit, në kuptimin literal të saj”, tha IKD.

Edhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) shprehu shqetësim mbi zhvillimet e mbledhjes së sotme të KPK-së pas shkarkimit të Kelmendit. GLPS tha se vendimet për shkarkimin e tij dhe emërimin e prokurorit Agron Qala si ushtrues detyre janë në kundërshtim të plotë me Ligjin për KPK-në dhe Rregulloren për Organizimin dhe Veprimtarinë e KPK-së.

Gjatë mbledhjes, propozimi për shkarkimin e Besim Kelmendit u miratua me pesë vota për, raporton “Betimi për Drejtësi”. Në vend të tij, si ushtrues detyre i Kryeprokurorit të Shtetit u caktua Agron Qala.

Ndërkohë, gjatë diskutimeve mbi futjen në rend dite të shkarkimit të Kelmendit, ai dhe katër anëtarë të tjerë të Këshillit Prokurorial të Kosovës lëshuan mbledhjen, duke deklaruar se po tentohet shkatërrimi i sistemit.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark