Insajderi
Lajme

Rrëfimi i Kastriot Kelmendit para Prokurorisë : Nuk është fajde, por blerje e dështuar dhe mashtrim nga ana e viktimës

Insajderi
21 November 2025 - 19:28
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Rrëfimi i Kastriot Kelmendit para Prokurorisë : Nuk është fajde, por blerje e dështuar dhe mashtrim nga ana e viktimës
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Në dosjen e Prokurorisë Speciale, ku rëndojnë akuzat për krim të organizuar dhe detyrim në dëm të qytetarit Edon Nurqaj, i pandehuri Kastriot Kelmendi ka shpalosur një version krejtësisht tjetër të ngjarjes. Përballë prokurorëve të shtetit, Kelmendi ka mohuar kategorikisht çdo formë të detyrimit apo shantazhit, duke e cilësuar rastin si një marrëdhënie civile për shitblerje banesash që përfundoi në një “lëmsh” financiar për shkak të, siç pretendon ai, mashtrimeve të palës tjetër.

Në qendër të përballjes mes Kelmendit dhe organit të akuzës qëndron shuma prej rreth gjysmë milioni euro. Ndërsa Prokuroria dyshon se kjo shumë përfaqëson një borxh të krijuar nga fajdeja, Kelmendi insiston se bëhet fjalë për para të dhëna për blerje pronash.

Gjatë marrjes në pyetje, ai ka deklaruar se i ka dorëzuar Edon Nurqajt qindra mijëra euro para të gatshme dhe një veturë luksoze Audi A6, me qëllim blerjen e një sipërfaqeje të konsiderueshme banimi, përfshirë një “Penthouse” në kompleksin “Jarinje”. Kur është sfiduar nga prokurori se pse një biznesmen me përvojë do të paguante shuma kaq të mëdha “cash” pa transaksione bankare, Kelmendi është arsyetuar me besimin që kishte te pala tjetër. Ai ka shpjeguar se paratë i janë kërkuar në dorë nga vetë Edoni, i cili e kishte siguruar se çështja e dokumentacionit dhe transferit do të rregullohej më vonë ligjërisht.

Sipas Kelmendit, ai thjesht po blinte pronë nga pronari i firmës “Ndërtimtari”, të cilin e njihte prej vitesh. Rrëfimi i të pandehurit merr një kthesë dramatike kur ai përshkruan përfshirjen e familjarëve të viktimës dhe një figure të njohur të biznesit në Pejë. Kelmendi ka treguar para prokurorisë se, pasi kishte kuptuar se paratë e tij nuk po investoheshin në ndërtim dhe se po mashtrohej me dëshmi bankare të falsifikuara, ai kishte kërkuar zgjidhje te familja Nurqaj.

Sipas dëshmisë së tij, për të shmangur skandalin dhe denoncimin në polici—që do të rrezikonte mbylljen e firmës së ndërtimit—u organizua një takim ndërmjetësimi në zyrën e një biznesmeni të fuqishëm pejan. Kelmendi pretendon se në atë takim, ku ishin prezentë babai dhe axha i Edonit, u pranua borxhi dhe u nënshkrua një marrëveshje më 30 shtator.

Kjo marrëveshje parashihte që në vend të banesave në objektin fillestar, Kelmendit t’i kompensoheshin dëmet me pronësi në një kompleks tjetër banesor, të njohur si “Puhovci 4”, ku investitor ishte biznesmeni ndërmjetësues.

Mbrojtja e Kelmendit e kthen gishtin e akuzës kah denoncuesi i tij.

Ai pretendon se Edon Nurqaj i ka shpenzuar paratë e marra për jetë luksoze dhe udhëtime jashtë vendit, ndërsa kur nuk ka arritur t’i kthejë mjetet apo të dorëzojë banesat, ka inskenuar situatën e viktimës së fajdesë.

Kelmendi ka përmendur edhe faktin se i ishin dërguar konfirmime të rreme bankare, të cilat banka i kishte cilësuar si fiktive. Për më tepër, lidhur me akuzat e rënda për pjesëmarrje në grup kriminal me persona të tjerë si Asdren Muhaxheri dhe Dardan Manaj, Kelmendi ka mbajtur një qëndrim mohues.

Ai ka deklaruar se nuk ka asnjë lidhje biznesi apo shoqërore me ta dhe se është i gatshëm të përballet me dënimin maksimal nëse provohet e kundërta, duke i cilësuar këto lidhje si pjesë të skenarit për t’i dhënë ngjyrime kriminale një kontesti civil. Tani mbetet në dorën e Gjykatës të vlerësojë nëse mungesa e gjurmëve bankare për qindra mijëra euro është provë e një ekonomie informale të bazuar në mirëbesim, apo një mbulesë për veprimtari të paligjshme fajdeje, siç pretendon Prokuroria./insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark